E Diel, 1 Nëntor 2026

Ahmeti dhe Musliu kundërshtojnë idenë e ndryshimit të kufijve

Në selinë partiake në Tetovë, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka pritur sot kryetarin e Lëvizjes së Progresit Demokratik nga Presheva, Jonuz Musliu.

Temë kryesore e këtij takimi ka qenë situata aktuale në Luginën e Preshevës, respektimi i të drejtave të komunitetit shqiptar në Serbi dhe nevoja që shqiptarët e Preshevës dhe serbët nga Kosova të paraqesin ura lidhëse midis dy vendeve.

Sipas njoftimit të BDI-së, që e transmeton Zhurnal, dy bashkëbiseduesit kanë konstatuar se zgjidhja më e mirë për Ballkanin Perëndimor do të ishte që Serbia të njohë realitetin e ri në rajon, me Kosovën e pavarur.

Duke thënë se njohja e tillë do të ndihmonte në afrimin e dy vendeve dhe stabilizimin e rajonit, dy bashkëbiseduesit janë pajtuar se ndryshimi i kufijve në rajon nuk është zgjidhje, sepse ajo do të kishte efekt domino mbi vendet fqinje dhe do të shkaktonte trazira të reja në rajon.

Politikani nga Presheva ka përfituar nga rasti t’i urojë Ahmetit për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në Maqedoni si dhe suksesin e arritur të BDI-së në këto zgjedhje./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›