IBM-ja po zbatohet edhe në pikën kufitare në Bërnjakë

Në pikën kufitare në Bërnjakë hyjnë mallra të ndryshme dhe kontrolli i Policisë së Kosovës dhe doganierëve është mjaft i lartë. Ata së bashku me kolegët e tyre të Policisë së Serbisë, bëjnë kontrollimin e mallrave dhe legjitimimin e qytetarëve që hyjnë në Kosovë dhe anasjelltas.
Komandanti i pikës kufitare 31 në Bërnjakë, Millosh Dançetoviq, thotë se e tërë puna në këtë pikë është duke rrjedhur sipas ligjeve dhe parimeve që ka Republika e Kosovës. Ai thotë se kanë bashkëpunim të mirë me palën serbe dhe se çdo ditë mbahen mbledhje të përbashkëta mes tyre për bashkërendimin e veprimeve.
“Absolutisht zbatimi i marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit po zbatohet edhe në pikën kufitare në Bërnjakë. Probleme të mëdha nuk kemi pos disa çështjeve të vogla teknike për zgjidhjen e të cilave janë angazhuar të gjitha palët përfshirëse”, thekson ai për RTK.
Edhe përfaqësues të Doganës së Kosovës në pikën kufitare ne Bërnjakë thonë se çdo kamioni me mallra që futet në këtë pikë kufitare i kryhen procedurat e njëjta si në të gjitha pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë. Udhëheqësi i ndërrimit të doganierëve të Kosovës, Bekim Zhubi, thotë se kanë bashkëpunim të mirë me doganierët serbë.
Në këtë pjesë, problem kyç ende mbeten rrugët alternative që kanë hapur kontrabandistët serbë për t’iu shmangur pikës kufitarë në Bërnjakë. Por, për këtë gjë ushtarët e KFOR-it kanë filluar patrullimin me barka në liqenin e Gazivodës.
Ndryshe nga pika kufitare në Rudnicë, në Bërnjakë janë të vendosur pjesëtarët e KFOR-it, të cilët kujdesen për sigurinë e policëve dhe doganierëve të Kosovës. Rruga për në këtë pikë kufitare mbetet ende e pasigurt për qarkullimin e qytetarëve, sidomos të atyre shqiptarë, për shkak se strukturat paralele mbajnë nën kontroll magjistralen e Ibrit, për të kundërshtuar, siç thonë, vendosjen e policëve dhe doganierëve kosovarë në pika kufitare.
Një çështje shqetësuese për këtë pjesë të Kosovës, mbetet edhe keqpërdorimi i liqenit të Gazivodës ku qytetarë serbë të kësaj ane peshkojnë pa pasur leje për këtë gjë./Indeksonline/