E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha bën homazhe në nderim të Margaret Thatcher

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha bëri sot homazhe në ambasadën e Britanisë së Madhe në Tiranë, në nderim të ish-kryeministres Margaret Thatcher, e cila u nda nga jeta një ditë më parë.

Me këtë rast, ambasada e Britanisë së Madhe në Tiranë hapi sot librin e ngushëllimeve, në të cilin kryeministri Berisha la një shënim në nderim të figurës së Baroneshës Thatcher.

Pas homazheve, në një prononcim për gazetarët, kryeministri shqiptar tha se “i shpreha ngushëllimet e mija dhe të qeverisë shqiptare ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Nicholas Cannon, për humbjen e madhe, për ndarjen nga jeta të një prej personaliteteve më të shquara politike të Britanisë së Madhe dhe të botës perëndimore të të gjitha kohërave, Lady Thatcher”, transmeton BW.

Ai theksoi se “Baronesha Thatcher është shënuar në memorien e kohës si një nga reformatoret më të mëdha, si një promovuese e jashtëzakonshme e vlerave të tregut dhe lirisë së tij, si mbrojtësja e flaktë e çështjes së drejtë të kombeve të shtypura nga diktaturat totalitare komuniste, por edhe nga diktaturat në tërësi. Margaret Thatcher ishte një mike shquar, një mike e vërtetë e shqiptarëve, e cila mbështeti me vendosmëri çështjen e tyre”./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›