Ahmeti, gjykata shtyn vendimin
Gjykata e Tiranës ka shtyrë vendimin për Krenar Ahmetin, i cili u akuzua për shpërdorim detyre. Mbrojtja e ka cilësuar të pafajshëm. Një seancë më parë, organi i akuzës kërkoi deklarimin fajtor të Ahmetit dhe dënimin e tij me 500 mijë lekë gjobë. Sipas akuzës, Krenar Ahmeti së bashku me një vartësin e tij, më datë 17 maj 2008, në vendin që quhet tashmë përballë dy kullave binjake, kanë ndaluar një makinë për kontroll të rastësishëm. Por në këtë makinë ka rezultuar të udhëtonte prokurorja e Krimeve të Rënda, Elisabeta Bajri, së bashku me vëllanë e saj, që ishte drejtuesi i mjetit. Pas ndalimit kanë filluar edhe debatet mes tyre. Bëhet e ditur nga ana e prokurorit se polici nuk e ka marrë parasysh faktin se prokurorja është prezantuar si e tillë, por ka vazhduar me fyerje dhe më keq ka njoftuar forcat e policisë për ta shoqëruar atë në Komisariatin numër 2. Ahmeti, nga ana e tij, në gjykatë ka kundërshtuar akuzën, duke deklaruar se ka zbatuar ligjin.