E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përplasje me thika, plagosen dy persona

Një përplasje me thika mes dy grupeve ka ndodhur në Tiranë, pranë Stacionit të Trenit. Ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë, ku janë plagosur dy kushërinj, ndërkohë që policia ende nuk ka identifikuar autorët. Dy persona, të moshës 21 dhe 48 vjeç, kanë marrë plagë me thika gjatë përleshjes, e cila do të degjeneronte edhe më shumë po të mos ndërhynte policia. Sipas të dhënave hetimore, rreth orës 20:00, në rrugën "Reshit Petrela", persona të paidentifikuar kanë plagosur me thika shtetasit Fabjan Berti Avdyli dhe Besnik Mustafa Avdyli, 21 e 48 vjeç, banues në Tiranë, të cilët ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën. Policia tha se menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Komisariatit nr. 3, ndërsa janë mbledhur edhe gjithë të afërmit e të plagosurve. Ata janë bërë gati për të sulmuar ndaj autorëve të ngjarjes, por fatmirësisht policia është treguar vigjilente, duke shpërndarë grupin. Grupi hetimor tha se po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve të ngjarjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›