E Diel, 1 Nëntor 2026

Dëshmia: Në godinën e SHIK-ut sillnin njerëz me thes në kokë

Roja i godinës së SHIK-ut në Vain të Lezhës, në vitin 1995, Viktor Sokoli, ka treguar dje para Gjykatës së Krimeve të Rënda torturimin e Remzi Hoxhës, njeriu i zhdukur për më shumë se 10 vjetë. Dëshmitari kishte parë Remziun kur e merrnin në pyetje dhe e kërcënonin vazhdimisht për orë të tëra. Por dëshmitari ishte transferuar nga kjo detyrë katër ditë pasi ishte bërë dëshmitar i seancave torturuese në bazën e SHIK-ut, ku njerëzit vinin me thes në kokë dhe ishte një nga personat e pakët që kishte parë Remziun në bazën sekrete. Ai u pyet dje nga prokurori Xhevat Hana, i cili disa herë e ka kundërshtuar, pasi kishte "harruar" thëniet para oficerëve të policisë gjyqësore. "Unë mbaj mend se në atë kohë kam qenë roje në godinën në Vain të Lezhës që ishte pronë e SHIK. Punonjës të SHIK sillnin persona të ndryshëm në godinë, por fytyrat ia mbulonin. Po kështu kam parë në një rast Remzi Hoxhën brenda në dhomë së bashku me një inspektor. Emrin e Remzi Hoxhës e kam mësuar nga një punonjës aty në Vain. E mbaj mend shumë mirë dhe e kam para syve portretin e Remzi Hoxhës. Remziu qëndronte në krevat dhe Budjon Meçe në karrige. Në një moment, Budjoni më pa kur unë isha te dera dhe më tha të largohesha. Budjoni po e merrte në pyetje dhe e ka kërcënuar. Por unë dua të them se aty nuk është kërcënuar dhe keqtrajtuar vetëm Remzi Hoxha. Shumë të tjerë janë sjellë dhe janë kërcënuar.

Dëshmitari kishte përshkruar në procesverbalin se kishte dëgjuar të bërtiturat e agjentëve të SHIK-ut të ardhur nga Tirana që kërcënonin pa pushim. "Mbaj mend që ata sillnin nga dy persona të cilët i fusnin në godinë me thes në kokë. I mbanin aty nga 10 deri në 15 ditë. Një natë mbaj mend se njëri nga të shoqëruarit ishte nga Kosova. Ata e nxorën në oborr. E kishin torturuar pa pushim për 10 orë rresht. Ata e çuan para gropës me gëlqere dhe i thanë: ‘trego se do të varrosim këtu‘", mësohet të ketë deklaruar dëshmitari gjatë marrjes në pyetje. Në sallën e gjyqit dje u dëgjua dëshmia e mësipërme, e cila, sipas prokurorisë mund të cilësohet tepër e rëndësishme për procesin dhe për akuzën. Roja i godinës së SHIK-ut, në Vain të Lezhës, i ka treguar dje gjykatës shumë detaje që lidhen me shoqërimin e disa personave në vitin 1995, mënyrën se si trajtoheshin e kërcënoheshin. Dëshmitari u pyet para gjykatës pa praninë e kamerave. Më poshtë po publikojmë një pjesë të dëshmisë, të regjistruar dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda.

Rrëfimi

Më thoni dëshmitar nëse keni punuar në Shërbimin Informativ Kombëtar. Nëse po, çfarë periudhe dhe çfarë pune keni kryer?

Kam punuar gjatë viteve 1993-2000. Në Vain, Lezhë, si roje objekti.

Kush ka punuar së bashku me ju?

Mhill Pjetri, Lesh Cali dhe Tom Qushku.

Tjetër kishte?

Po. Ishin dy brenda objektit. Gjok Hasani me të shoqen. Dhe një inspektore Rita, se mbaj mend mbiemrin.

Ky ambient nga kush administrohej?

Nga kryetari, Martin Miri.

Në Vain janë marrë njerëz në pyetje, janë shoqëruar?

Njerëz kanë ardhur plot.

Kanë qëndruar me ditë, apo si?

Varet. Me 1, 10 apo 15 ditë, sipas programit që kishin ata.

Keni dijeni se cilët janë personat e marrë në pyetje?

Nga dritarja jashtë kam parë vetëm atë me mustaqe, kosovarin, duke u marrë në pyetje nga një oficer me emrin Budion. Më ka thënë largohu dhe kam ikur.

Kush iu kërkoi të largoheshit?

Një oficer me emrin Budion.

Nga ana juaj janë parë veprime konkrete të kryera ndaj këtyre personave?

E kam parë atë në tavolinë, duke marrë në pyetje personin që ishte brenda.

Sa kohë janë mbajtur brenda këta persona?

Se mbaj mend me saktësi, ka kaluar kohë e gjatë.

Keni parë persona konkretë?

Remzi Hoxhën kam parë.

Në çfarë rrethanash?

E kam parë brenda në dhomë, duke u marrë në pyetje. Më thanë largohu dhe ika te postblloku.

Dini gjë janë torturuar?

Nuk di ç‘të them, atë e dinë oficerët. Sepse kam qenë jashtë.

Gjyqi

Gjykata refuzon dëshminë e personit që Kumbaro i vodhi emrin

Prokuroria kërkon dëshmitar Shaqa Shatrin

Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda që të thërrasë si dëshmitar Shaqa Shatrin, shtetasin kosovar që Ilir Kumbaro i vodhi emrin dhe fitoi azilin politik në Angli. Prokuroria Xhevat Hana e argumentoi kërkesën se personi në fjalë mund ta ndihmonte për të vërtetuar se Kumbaro ka përdorur emër të rremë në Angli. Por kërkesa është rrëzuar nga trupi gjykues, pasi, sipas pesëshes gjykuese, dëshmitari nuk mund të ndihmonte procesin me fakte të reja dhe se në Angli është vërtetuar se personi që përdorte emrin Shaqa Shatri është Ilir Kumbaro, i akuzuar në Shqipëri për rrëmbim të trefishtë, duke shpërdoruar detyrën si funksionar i SHIK-ut.

Gjykata londineze ka vendosur disa javë më parë për ekstradimin e ish-drejtuesit të SHIK-ut në Tiranë, Ilir Kumbaro, i cili dyshohet se është personi i fundit që e ka parë gjallë Remzi Hoxhën. Pas këtij vendimi, familjarët e Kumbaros kanë marrë avokat në Shqipëri me qëllim mbrojtjen e familjarit të tyre. Tashmë pritet vetëm ardhja e tij në Shqipëri me qëllim funksionimin normal të procesit gjyqësor.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›