E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fëmijët jetimë marshojnë për më shumë të drejta

Paraditen e djeshme sheshi "Skënderbej" në kryeqytet, është "veshur" me bluza të bardha. Rreth 200 fëmijë jetimë me sloganin "Më jep një rreze dielli, që unë ta kthej në shpresë...", të shoqëruar edhe nga personalitete të botës së artit, kulturës, gazetarisë dhe shoqërisë civile, kryen një marshim paqësor përgjatë bulevardit "Dëshmorët e Kombit". Fillimisht ata u ndalën në parkun "Rinia", ku ishin ngritur 2 çadra nga Kryqi i Kuq Shqiptar. Aty fëmijët jetimë apeluan në shenjë solidarizimi për dhurim gjaku, për të gjithë fëmijët në nevojë. "Dita e 20 majit nuk është ditë feste, por është ditë apeli dhe ndërgjegjësimi shoqëror, për këtë kategori të përjashtuar dhe të margjinalizuar, të zhytur në një mjerim të ekstremit social", shprehet drejtuesi i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, Ilir Çumani, organizues i kësaj veprimtarie sensibilizuese. Sipas organizatorëve, manifestimi paqësor i kësaj dashurie njerëzore të munguar për këta fëmijë, synon që t‘i mbrojë ata nga të gjitha plagët dhe cenet e shoqërisë. Por njëkohësisht për t‘i thënë ndal politikës zyrtare abuziviste dhe arrogante në kurriz të tyre, që me indiferencën dhe përjashtimin social permanent nga institucionet e shtetit shqiptar, gjatë gjithë këtij tranzicioni të gjatë, ka tentuar që edhe në këtë 20 maj, në Ditën Kombëtare në Ndihmë të Jetimëve, të përfitojë për të bërë teatrin e një "show mediatik" për të fituar kapitale politike në funksion të fushatës elektorale. Më pas, fëmijët jetimë morën pjesë në një ceremoni të organizuar në ambientet e Pallatit të Brigadave, ku Presidenti Bamir Topi i dorëzoi në shenjë vlerësimi Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë "Medaljen e Mirënjohjes" me motivacionin: "Për kontributin dhe rolin e madh që ka luajtur në integrimin e fëmijëve jetimë në shoqërinë shqiptare, në ndihmën dhe mbrojtjen e të drejtave themelore të tyre, duke u dhënë shpresën për një të ardhme edhe më të sigurt, nderin dhe dinjitetin që u takon". "Duhet të ketë më shumë projekte dhe kujdes për reformim ligjor dhe duhet patjetër të ketë një orientim qysh në qelizë për të ardhmen e tyre. Gjëja më e rëndësishme që ne mund të bëjmë për këta fëmijë është që t‘i orientojmë ata drejt një arsimimi, drejt një shkollimi, në mënyrë që drama e tyre të minimizohet para të ardhmes së tyre", tha Presidenti Topi në këtë ceremoni. Aty merrte pjesë edhe ambasadori amerikan në Tiranë, Xhon Uidhers.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›