E Diel, 1 Nëntor 2026

Malaria, britaniku mbetet i izoluar në infektiv

Epidemia e malaries nuk ka rrezik shpërthimi në vendin tonë. Për vite me radhë janë trajtuar raste sporadike. Sipas shifrave të Institut të Shëndetit Publik periodikisht në shërbimin e Infektivit në Tiranë janë trajtuar raste të prekura me malarie.

Pacienti 40-vjeçar me nënshtetësi britanike aktualisht ndodhet i izoluar në shërbimin e infektivit. Por pavarësisht se është konfirmuar se është prekur nga sëmundja e malaries, shtetasit shqiptarë nuk rrezikojnë të preken nga asnjë vatër infeksioni.

Nuk ka rrezik të përhapjes së epidemisë së malaries në Shqipëri, pavarësisht se 40-vjeçari po kurohet në spitalin infektiv. Pacienti britanik i cili sapo ishte kthyer nga Namibia shfaqi simptomat e sëmundjes në Tiranë. "Pacienti dyshohet se mund të jetë infektuar nga malaria, pasi ka ardhur nga Namibia, që është zonë e infektuar nga malaria, por nuk përbën asnjë rrezik për përhapjen e sëmundjes së malaries në vend", deklaroi dje drejtoresha e QSUT-së, Gjeorgjina Kuli.

Pacienti mendohet të jetë trajtuar në spitalin e Tiranës edhe herë të tjera, pas rikthimit nga vendet e Afrikës.

Dy ditë më parë, drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, deklaroi se pacienti ishte kuruar edhe një herë tjetër në qendrën spitalore universitare "Nënë Tereza".

"Raste të tilla malarie të importuar nga vende të huaja kemi pasur në mënyrë periodike dhe i kemi raportuar. Vendet e importit kanë qenë vende si India, Kina, Afrikë. Rasti i fundit mendohet të jetë importuar nga Afrika, ku shtetasi ka pasur aktivitet ndërkohë që nuk paraqitet asnjë lloj shqetësimi për popullatën", theksoi më tej Alban Ylli. Malaria është një sëmundje infektive, shkaktuar nga parazitët protozoarë. Është e përhapur në mënyrë të gjerë në vendet subtropikale, duke përfshirë vende si Amerika, Afrika, Azia. Çdo vit ka rreth 350-500 milionë raste me malarie, duke shkaktuar vdekjen e deri 3 milionë njerëzve ku shumica prej tyre janë fëmijë nga zonat afrikane. Malaria shoqërohet me varfërinë, shkaktar sa është varfëria.

Një shtetas me nënshtetësi britanike, i cili prej tre vjetësh punon në Tiranë për një organizatë jofitimprurëse është shtruar dhe izoluar në shërbimin e infektivit. Mosha e pacientit është rreth 40 vjeç. I sëmuri udhëton shpesh jashtë vendit dhe mendohet që virusi i malaries të jetë importuar nga vendet e Afrikës. I sëmuri ka hyrë në territorin shqiptar pesë ditë më parë, por nuk është ndaluar në dhomën e mjekut në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit për të marrë ndihmë mjekësore.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›