Ahmeti:Qeveria të zgjidhë statusin e ish-pjesëtarëve të UÇK-së

Tashmë 10 vjet pas përfundimit të konfliktit të vitit 2001, statusi i ish-pjesëtarëve të UÇK-së mbetet i pazgjidhur, edhe pse shumë herë është diskutuar dhe është paraqitur si prioritet i partive politike shqiptare.
Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti sërish është prononcuar lidhur me këtë çështje duke theksuar se, qeveria e re do ta zgjidh këtë çështje në kuadër të ligjeve ekzistuese.
“Unë dua të theksoj se kemi pasur një qasje shumë humane për këtë çështje. Unë mendoj se zgjidhja më e mirë është që për të gjithë ata që në një farë mënyre vuajtën në konfliktin e vitit 2001 të trajtohen nga shteti, pa marrë parasysh se kush nga vjen dhe çfarë është. Për shkak se këta njerëz kanë nevoja të veçanta”, deklaroi Ahmeti.
Ai beson se Maqedonia si shtet mund ta trajtojë dhe ta menaxhojë këtë çështje
“Ne besojmë se është e mundur që brenda ligjeve ekzistuese kjo çështje të mbyllet njëherë e përgjithmonë. Kjo ide duhet të zhvillohet për të arritur deri zgjidhja përfundimtare. Gjëja më e rëndësishme është t`i zgjidhim problemet e atyre që humbën të dashurit e tyre”, ka shtuar Ahmeti.