Prisnin pemët tek Liqeni, ndalohen tre persona

Policia Bashkiake e Tiranës në bashkëpunim me Komisariatin numër 1 në kryeqytet, ka ndaluar në orët e vona të natës tre persona që prisnin pemët duke dëmtuar Parkun e Madh të Tiranës pranë Liqenit Artificial.
Në një deklaratë për shtyp policia bashkiake thekson se janë ndaluar shtetasit Dritan Marku, Ardian Dervishaj dhe Shkelzen Shehu pasi akuzohen se kanë prerë një numër të madh pemësh, dhjetra pisha gjatë muajve të fundit.
Sipas policisë bashkiake të ndaluarit pretendonin se ata prisnin pemët e rrëzuara, por pas verifikimit, doli se justifikimi i tyre nuk qëndronte.
Policia Bashkiake dhe forcat e Komisariatit numër 1 sekuestruan edhe mjetet që ata përdornin, dy sharra elektrike, dy radio ndërlidhëse si dhe një furgon me targa të falsifikuara që përdorej për transportin e drurit.