E Shtunë, 31 Tetor 2026

Propozimi i Feith për veriun, kundërshtime në Kosovë

Autoritetet në Kosovë dhe ekspertë të së drejtës ndërkombëtare kanë hedhur poshtë mundësinë që veriut të populluar me serbë t`i jepet një status autonom i ngjashëm me atë që ka Katalonia e Spanjës, shkruan gazeta Koha Ditore.
Sipas gazetës, reagimi është shprehur një ditë pasi shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Pieter Feith, ka shprehur mendimin e tij se modeli për një zgjidhje afatgjate në Kosovë është “Ahtisaari Plus”. Ai kishte propozuar modelin e Katalonisë për veriun. Kishte thënë vetëm kaq, pa dhënë detaje për mënyrën se si e shihte këtë autonomi.
Kryediplomati kosovar, Enver Hoxhaj, duke folur për pajtimin në Brajon, në një intervistë për agjencinë italiane ANSA, ka thënë se Pakoja e Ahtisaarit është zgjidhja e vetme që prodhon stabilitet në Ballkan.
“Falë Planit të Ahtisaarit, përfaqësuesit special të Kombeve të Bashkuara, të drejtat e minoritetit serb në Kosovë garantohen më shumë se në çdo shtet tjetër në Evropë”, ka thënë Hoxhaj. “90 për qind e këtij plani tashmë është implementuar”.
Edhe Afrim Hoti, profesor i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, ka deklaruar se serbëve të Kosovës asnjë model nuk u jep të drejta më shumë sesa Plani Ahtisaari. Sipas tij, prekja e pakos nuk do të mund të kufizohet vetëm në pjesët që u referohen të drejtave të serbëve.
“Mendoj se edhe Katalonia, edhe rajonet e tjera, nuk mund dhe nuk kanë ndonjë element që avancon pozitën e serbëve më shumë se sa që parasheh Pakoja e Ahtisaarit. Të gjitha këto mund të shërbejnë vetëm si lojë politike dhe mund të shërbejnë si opsione, ose alternativa në procesin e zgjidhjes së çështjes së kësaj pjese”, ka thënë profesor Hoti.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›