E Diel, 1 Nëntor 2026

Ahmeti:Viti 2011, i sukseshëm për shqiptarët e Maqedonisë

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, tha se janë shënuar arritje të mira në vitin 2011-të dhe se priten avancimetë tjera sa u përket të drejtave të shqiptarëve. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ai flet për përfaqësimin dhe pozitën e shqiptarëve në institucionet shtetërore, për raportet me opozitën shqiptare, për synimet integruese të Maqedonisë dhe çështje të tjera. Ndërkohë thekson se ka ende funksionarë shqiptarë, të cilët për shkak të komplekseve personale, nuk e përdorin gjuhën shqipe në komunikim me institucionet.
 

Ai përmend katër çështje të rëndësishme për shqiptarët, por dhe për vetë Maqedoninë, paqen, qëndrueshmërinë dhe sigurinë e vendit: Ligji për interpretimin autentik të katër rasteve të Hagës, ligji për simbolet kombëtare dhe gjuhën, harmonizimi i programeve zgjedhore mes BDI-së dhe VMRO-së, si dhe buxheti me anë të konsensusit.
 

Ahmeti vë në dukje nevojën për thellimin e komunikimit dhe dialogut politik, ndërkohë që shprehet se për këtë duhet vullneti i dy palëve.
Vitin 2012-të e vlerëson si vitin dhe shekullin e shqiptarëve për shkak të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë dhe aktiviteteve të shumta që do të zënë vend.
 

Në lidhje me problemin e emrit të Maqedonisë, ai bën të ditur se informohet për gjithçka në kuadër të bisedimeve, ndërsa u bën thirrje shqiptarëve që në këtë kuadër, të tregojnë më tepër interes për fatin e vendit të tyre.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›