E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ahtisaari: Historia nuk mund të zhbëhet

 

Skënder Minxhozi

Me shumë dëshirë ai pranoi të japë një intervistë për revistën MAPO. Ishte interesante të dëgjoje komentet e njeriut që solli kalimin e Kosovës nga statusi i territorit në administrim të OKB-së, në atë të shtetit të pavarur, me anë të Pakos së tij tashmë të njohur për të gjithë shqiptarët. Marti Ahtisaari thotë se nuk e ka harruar Kosovën, duke nënvizuar fort se historia nuk mund të zhbëhet dhe se pavarësia është një proces i pakthyeshëm.
Zoti President, së pari më lejoni t'ju falënderoj për këtë intervistë me lexuesit e MAPO dhe t'ju uroj për çmimin Nobel për paqen, që morët para pak ditësh. Çfarë do të thotë ky vlerësim ndërkombëtar, për karrierën tuaj të gjatë politike dhe diplomatike?
Mendoj se është vlerësimi më i lartë që një njeri i profesionit tim mund të marrë në jetën e tij. Besoj se ky është shpërblimi i një pune që ka marrë pjesën më të madhe të jetës time dhe ndoshta kjo shpjegon edhe faktin se përse mua m'u dha ky çmim në këtë moment. Natyrisht unë e vlerësoj lart këtë akt ndaj meje. Kam kaluar këtë fundjavë mes Oslos dhe Stokholmit, pasi ai që merr Nobel-in duhet të ndalojë patjetër dhe në kryeqytetin suedez. Isha i ftuar i mbretit dhe mbretëreshës së Suedisë, patëm dhe një seminar interesant atje dhe diskutime të gjera me miqtë e shumtë që kam në këtë vend. Pata nderin të ftohem zyrtarisht nga ministri i Jashtëm dhe të diskutoj me miqtë e kolegët çështje të shumta të aktualitetit ndërkombëtar.
Ju e morët çmimin Nobel pas një angazhimi të gjatë dhe substancial për paqe dhe stabilitet në pjesë të ndryshme të botës, si Indonezia, Namibia, Irlanda e Veriut dhe Kosova. Cila prej këtyre sfidave ka qenë më e vështira, sipas opinionit tuaj?
Ndoshta mund të zgjidhja Namibinë, si dosjen më të vështirë dhe komplekse që kemi trajtuar. Kjo ka qenë një çështje që ka marrë më shumë kohë dhe energji se të tjerat. U bashkova me nismat e paqes në kuadër të OKB në vitin 1977. Një vit më pas mora statusin e përfaqësuesit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për atë vend. Namibia u bë e pavarur në vitin 1990. Pra, ka qenë një kohë e gjatë, në të cilën jam marrë me këtë vend, për të bindur palët në konflikt që të shkonin drejt një procesi të qëndrueshëm paqeje.
Përpjekja juaj e fundit në drejtim të paqes dhe stabilitetit ka qenë Kosova. Si e shihni ju sot, në distancë rreth dyvjeçare, këtë dosje, tani që Kosova është një shtet i pavarur dhe po përpiqet të ndërtojë një të ardhme demokratike për banorët e saj?
Mendoj se gjëja më e rëndësishme është se Kosova pranoi të zbatojë një plan në të gjithë elementet e tij, përfshirë anën legjislative të Pakos. Këto gjëra, mendoj se kanë ecur shumë mirë deri tani. Vendet më të mëdha të botës e kanë njohur Kosovën, çka është shumë e rëndësishme, ashtu siç është e rëndësishme të pranohet se pavarësia është një pikënisjeje për të nesërmen. Komuniteti ndërkombëtar është aty, ai po vrojton dhe po ndihmon që Plani të gjejë zbatim të plotë dhe të qëndrueshëm. Pra, më duhet të them se jam i kënaqur me mënyrën sesi po shkojnë sot gjërat në Kosovë. Nga ana tjetër, është me rëndësi që gjithnjë e më shumë vendet po e njohin sot Kosovën, sepse është vendimtare që shteti i ri të integrohet sa më parë në sistemin ndërkombëtar të institucioneve, duke nisur fillimisht me ato financiare. Kjo sepse sot në Kosovë ka shumë për të bërë, sidomos në planin e zhvillimit ekonomik.
Sapo përmendët funksionimin e shtetit kosovar. Sa eficiente mendoni se është Kosova e sotme, nëse shihet si një formacion i pavarur shtetëror?
Unë mendoj se çdo vend i dalë nga një eksperiencë e ngjashme me atë nëpër të cilën ka kaluar Kosova, do të përballej me vështirësi funksionimi administrativ, para se shteti të konsolidohej dhe të funksiononte normalisht. Shteti ligjor kërkon kohë që të vihet në lëvizje ashtu siç duhet. Ka ende fusha të cilat janë problematike, jo vetëm për realitete si Kosova, por edhe për shtete që kanë kohë që e kanë shpallur pavarësinë. Nuk kemi nevojë të shohim larg shtëpisë tonë, i kemi probleme të tilla edhe këtu në Europë. Besoj fuqimisht se shteti kosovar e di tashmë se çfarë i nevojitet dhe se cilat janë prioritetet e tij absolute. Normaliteti do të kërkojë kohë, s'duhet të kemi iluzione të tepërta, por prezenca ndërkombëtare që ndodhet në terren, është aty për të ndihmuar që Kosova ta kalojë shpejt këtë fazë. Ky është një proces paqeje dhe asnjë vend në kushte të ngjashme nuk është i gatshëm, kur i duhet të përballet me standardet konkrete të një shoqërie demokratike normale. Edhe vendet tona kanë problemet e tyre, gjithandej ka vend për përmirësime. Por më e rëndësishmja në kushtet e Kosovës është që të krijojë baza solide për një administratë eficente, të besueshme dhe profesionale. Duhet një shërbim civil kompetent, i përbërë nga njerëz që janë shërbyes të shtetit. Më pëlqen shumë shprehja angleze "civil servant" (shërbyes civil). Kjo kategori i duhet shumë shtetit të sotëm kosovar.
Ka një frikë në rritje mes shqiptarëve të Kosovës, lidhur me propozimet e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun, në lidhje me instalimin e Eulex në Kosovë. A mendoni se në një farë mënyre, kjo situatë e re e vë në pikëpyetje thelbin e Planit të Paqes që ju hartuat?
Jam munduar të kuptoj se çfarë ka dashur të bënte Sekretari i Përgjithshëm dhe stafi i tij me anë të atyre propozimeve dhe kam përshtypjen se ai po mundohet të lehtësojë fillimin e punës së Eulex, në zona mjaft delikate të Kosovës, përfshirë funksionimin e policisë dhe të doganave atje. "Shfaqja" sapo ka filluar, por mendoj se më e rëndësishmja është se nuk duhet të harrojmë asnjë çast se Kosova është e pavarur. Madje do të thosha e pavarur në mënyrë të pakthyeshme. Kjo do të thotë për mua, që në bazë të këtij parimi themelor, OKB do të ketë gjithnjë e më pak rol në terren dhe se Bashkimi Europian do të marrë në dorë frenat e lojës, ashtu siç e parashihte edhe Plani fillestar i Paqes. Këto propozime duhen parë pra si përpjekje për të lehtësuar rolin e BE në Kosovën e sotme.
Po vërehet një pozicion ende mjaft i fortë i Serbisë dhe Rusisë kundër pavarësisë së Kosovës. A mendoni se në një kontekst të caktuar, kjo oponencë do të krijonte kushtet për të marrë në konsideratë, në një mënyrë a një tjetër, edhe opsione të tjera veç atij të pavarësisë. Le të themi, ndarja e Kosovës, a është më një opsion diplomatik?!
Jo, e them kategorikisht këtë. Rusia dhe vendet anëtare të Grupit të Kontaktit, e kanë pranuar hapur se janë kundër çdo përçapjeje për ndarjen e Kosovës. Ky është sot pozicioni zyrtar i secilit prej vendeve të mëdha, përfshirë edhe Rusinë. Dëgjoni, unë e kuptoj që Serbia po kërkon me ngulm që të marrë statusin e një vendi anëtar të Bashkimit Europian. Nëse ata do të vendosin ta ndjekin edhe në të ardhmen këtë kauzë, ata e dinë mirë se ç'duhet të bëjnë me Kosovën. Unë e di që në këto çështje duhet kohë, por unë s'kam përshtypjen se mund ta zhbëjmë historinë, duke nisur me vitin 1989, kur Serbia në rrugë antikushtetuese, ia mori autonominë Kosovës, çka u pasua nga ngjarje që të gjithë e dimë sesi rrodhën. Besoj se të gjithë duhet të reflektojnë, si dhe të pajtohen me faktin se proceset në Kosovë janë të pakthyeshme, duke u përshtatur me realitetet e reja, pa provokuar kriza të rrezikshme.
A keni përshtypjen se disa ngjarje në pamje të parë të largëta e pa lidhje, si kriza në Gjeorgji, mund të kenë një impakt të caktuar mbi Kosovën dhe të ardhmen e saj? Kujtoj se kjo kartë është luajtur nga Rusia, kur nisi sulmet mbi qeverinë e Tbilisit, me qëllim forcimin e pozitës së saj ndërkombëtare.
Jo. Pushtimi i Gjeorgjisë nga Rusia, nuk e forcoi pozitën ndërkombëtare të kësaj të fundit. Krejt e kundërta. Ky ka qenë një gabim i Moskës. Nga ana tjetër, asnjë nuk mund ta pranojë krahasimin e Kosovës, me precedentin gjeorgjian, sepse Kosova si çështje është trajtuar nga OKB me anë të mekanizmave të saj, çka nuk është rasti i incidenteve të fundit në Gjeorgji. Pra, besoj se ka qenë një gabim i rusëve, që ata nuk do ta përsërisin më në të ardhmen.
Shqipëria ka pasur një rol aktiv në krizën e Kosovës, qysh në vitet '90. Si e konsideroni pozitën e Tiranës gjatë zhvillimeve të viteve të fundit?
Kur në nëntor 2005 mora detyrën e të Dërguarit Special për Kosovën, pata rastin të udhëtoj jo vetëm në Prishtinë dhe Beograd, por edhe në vendet fqinje. Vizitova edhe Shqipërinë dhe e pëlqeva mënyrën sesi lidershipi politik atje ishte pozicionuar ndaj problemit kosovar në rrafshin perspektiv. Mbaj mend se autoritetet shqiptare më thanë se dëshirojnë të jenë aktivë ndaj çështjes së Kosovë, por jo aktorë të saj. Mendova në atë moment se ky është një qëndrim mjaft konstruktiv, pasi në të kundërt, nëse ata do të dëshironin hapur të ktheheshin në aktorë në krizën kosovare, kjo mund ta kishte komplikuar keq të tërë procesin. Lidershipi shqiptar e kishte kuptuar më së miri këtë dhe unë isha shumë mirënjohës, në pozitën time prej të dërguari të OKB, për atë qëndrim. Në të vërtetë Shqipëria ka qenë aktive në çështjen e Kosovës, por pa ndërhyrë direkt në të. Kjo ndihmoi ndër vite që të zgjidheshin problemet e vjetra, e jo të krijoheshin të reja.
Pas një përfundimi pozitiv të procesit të afrimit me NATO-n, Shqipëria po aspiron për një afrim po kaq të shpejtë me Bashkimin Europian. Si një politikan i profilit të lartë europian, sa përkon sipas jush ëndrra jonë europiane, me planet konkrete të BE ndaj Ballkanit Perëndimor?
Kjo është diçka që do të kërkojë kohën e saj. Kemi hyrë të gjithë nga ajo derë dhe e dimë sesa e vështirë është të kalohet, përfshirë vendin tim, i cili hyri në Bashkimin Europian në vitin 1994. Kam argumentuar gjithmonë, ashtu si shumë të tjerë, se vendet e Ballkanit duhet të përfshihen në BE. Këtu duhet të përfshihet edhe Turqia, të cilën e njoh mirë si rast, nga pozita e kryetarit të Komisionit të Pavarur për Turqinë. Ky është një procesi komplikuar dhe i gjatë. Këto vende duhet të marrin kontrollin e plotë mbi legjislacionin dhe administrimin e shtetit. Nga ana tjetër unë jam mjaft i shqetësuar me qëndrimin e disa vendeve të reja anëtare ndaj Kosovës duke mos e njohur atë zyrtarisht, sepse ky pozicion i shkon për shtat tezës së ngadalësimit të zgjerimit të Bashkimit Europian në këtë zonë të kontinentit. Megjithatë perspektiva e Ballkanit më duket e qartë, ajo është në Europën e Bashkuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›