Një pagë shpërblim për 9300 mjekë
zirina llambro
Më të vlerësuar se bluzat e bardha, që punojnë në spitale e mbajnë peshën më të madhe të sistemit shëndetësor, mjekët e ambulancave do të marrin këtë fundvit deri në një pagë shpërblim. Bashkë me ta edhe pjesa tjetër e personelit, ku bëjnë pjesë sanitaret e infermieret. Në total, janë 9300 punonjës që do të përfitojnë këto para, të shpërndara me një skemë krejt të re. Gjithçka, duke vënë në zbatim komponentët e ndarjes së buxhetit në qendrat shëndetësore, të cilat sipas reformës funksionojnë autonome. Ky është shpërblimi i dytë që marrin bluzat e bardha. Një pagë mujore ata e kanë përfituar pas 6 mujorit të parë të vitit. Lajmin e bëri me dije dje Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor. "Ndryshe nga vitet e tjera, shpërblimi nuk do të jetë një shumë fikse e përcaktuar, por pikërisht bazuar në punën e kryer dhe shërbimin e ofruar ndaj pacientëve. Sipas të dhënave rezulton se shpërblimi në këtë fundviti është deri në një pagë mujore për mjekët dhe stafin tjetër", sqarohet në deklaratën e ISKSH. Sipas saj, bazuar në performancën e realizuar nga qendrat shëndetësore, instituti do të shpërblejë të gjithë punonjësit e këtyre qendrave. "Ky shpërblim bazohet në 10% shtesë për performancë dhe 5% shtesë për cilësinë e shërbimit (bonusi)", saktëson ISKSH.
Tërheqja e buxhetit
Sipas specialistëve të saj mbështetur në evidencat e periudhës janar-nëntor 2008, rezulton se shpenzimet për buxhetin për aktivitet (pra 10% shtesë mbi pagën për performancë) janë realizuar në masën 74.4 % në shkallë vendi dhe bonusi (5% )është realizuar në masën 44.2 %. "Sipas informacioneve rezulton se për 6/mujorin e parë të vitit 2008, të gjitha qendrat shëndetësore kanë dhënë deri në një pagë shpërblim për rezultatet e arritura. Mbështetur në realizimin e 11-mujorit dhe në buxhetin e akorduar, qendrat shëndetësore do të japin deri një pagë tjetër shpërblim për rezultatet e arritura në këtë fundviti", thuhet në deklaratë. Nga dhënia e pagës së dytë shpërblim përfitojnë rreth 9300 punonjës në 419 qendra shëndetësore, me një fond rreth 260 milionë leke. Në total masa e shpërblimit për punonjësit e qendrave shëndetësore përfshi edhe pagën e dhënë në fund të 6-mujorit të parë shkon në rreth 440 milionë lekë. Të gjitha këto fonde janë të parashikuara në buxhetin e qendrave shëndetësore të vitit 2008. Përpos kësaj, duke matur indikatorët specialistët kanë bërë edhe një renditje të rretheve ku mjekët e ambulancave kanë punuar më mirë. "Financimi i buxhetit për aktivitet (10% i performancës) për çdo qendër shëndetësore, të jetë realizuar nga 8-100%. Më mirë në realizimin e këtij treguesi paraqiten qendrat shëndetësore të rajonit Tiranë, të cilat kanë tërhequr 63-98% të buxhetit për aktivitete, Vlorë 44-99%, Tropojë 93-100%, Berat 35-100%, Kukës 34-91 %, Korçë 28-99%, Elbasan 18-94%, Shkodër 18-99%", thuhet në deklaratën e ISKSH. Ndërsa sa i përket realizimit të buxhetit për të përfituar bonusin, ai varion nga 24-54%. Me mirë paraqiten Vlora dhe Kukësi me 54% secila, Dibra 49%, Korça 48%, Shkodra 46%, Tirana 45%, Berati 43 %.
Shpërblimet sipas Performancës
Llogaritja e fondit të poliklinikave
Numri i banorëve të regjistruar në masën 85%
Performanca e dhënies së shërbimeve, 10%
bonusi prej 5% (përfitojnë qendrat që punojnë për uljen e vlerës vjetore të recetave për banorët e regjistruar uljen e numrin e referimeve te shërbimi i specializuar.
Shpërblimet
Përfitojnë 9300 punonjës të ambulancave
Bazohet 10% shtesë për performancën
dhe 5% shtesë për cilësinë e shërbimit (bonusi)
Rrethet ku është punuar më mirë
Për 10% e performancës
Tirana, ka tërhequr 63-98% të buxhetit për aktivitete,
Vlora 44-99%,
Tropoja 93-100%,
Berat 35-100%,
Kukës 34-91 %,
Korçë 28-99%,
Elbasan 18-94%,
Shkodër 18-99%",
Për bonusin
Vlora
Kukësi me 54% ,
Dibra 49%,
Korça 48%,
Shkodra 46%,
Tirana 45%,
Berati 43 %.
Mjekët e QSU, shpërblimi 15 mijë lekë
Mjekët e spitalit "Nënë Tereza" duhet të kënaqen me vetëm 15 mijë lekë shpërblim këtë fundviti. Ka qenë Drejtoresha e QSUT, e cila ka menduar që fondi i përcaktuar të ndahet pa diferencime. "Veç 10 mijë lekëshit që ka vendosur qeveria, ne në bazë të llogarive që bëmë menduam të shtojmë nga të ardhurat tona edhe 5 mijë lekë", ka deklaruar Gjeorgjina Kuli. Vjet mjekët mundën të marrin vetëm 10 mijë lekë shpërblim. Kjo, pasojë e fondeve të pamjaftueshme të spitalit. Por vendimi rrëzoi projektin paraprak që kishte drejtoria, për të shpërblyer mjekët sipas performancës dhe kontributit në shërbime të gjithsecilit. Sipas rregullit, institucionet shëndetësore duhet të marrin shpërblim në masën 5 për qind të fondit të akorduar. Megjithatë, nisur nga problemet që kanë pasur spitalet me paratë, është vendosur që nuk mund të realizohet ndarja e këtij fondi, në bazë të performancës së punës që kanë kryer mjekët për një vit kalendarik. Me reformën që pritet të vihet në zbatim nga viti që vjen, pasi të shlyejnë borxhet, spitalet do të kenë më shumë mundësi të kënaqin bluzat e bardha. Ajo parashikon autonominë e spitaleve dhe administrim më të mirë të të ardhurave që kanë.