E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barcelona, me lojtarët më pasanikë



Barcelona është klubi që ka vlerën më të lartë të kartonëve të lojtarëve të saj: 14 milionë e 752 mijë euro është mesatarja e vlerës së grupit të saj, ku militojnë yje si Lionel Mesi, Tieri Henri, Samuel Eto e Ksavi. Reali i Madridit renditen në vendin e dytë përsa i përket “shtrenjtësisë” së lojtarëve: 13 929 167 euro. Çelsi i miliarderit Abramoviç ka një vlerë mesatare prej 13 765 385 eurosh, duke u renditur të parët në Angli dhe të tretët në Europë. Kampioni i Italisë, Interi, ku spikat pa dyshim vlera e kartonit të Ibrahimoviçit, ka një mesatare për të gjithë “rozën” e lojtarëve në 11 321 667 euro, duke lënë pas Milanin, me një vlerë mesatare lojtarësh me 10 553 704 euro. Rekordmeni i Gjermanisë, Bajern Munih, ka një vlerë mesatare për lojtarë prej 10 497 82 eurosh. Mançester Junaitid, kampioni aktual i Europës, brenda grupit të të cilit janë Kristiano Ronaldo, fitues ”Topit të artë” e Ujeni Rui, ka një vlerë prej 10 413 334 eurosh. Arsenali ka një vlerë mesatare të kartonit të lojtarëve prej 9 908 000 eurosh. Liverpuli, 5-herë kampion i Europës, e ka këtë tregues 9 793 334 euro. Atletiko Madrid është klubi i tretë në Spanjë përsa i përket vlerës së lojtarëve: 9 395 455 euro. “Zonja e vjetër” e Italisë, Juventusi, ka një mesatare për lojtar prej 9 189 286 eurosh. Roma e ka këtë tregues: 8 200 000 euro. Zeniti është “cari” i Rusisë: 6 128 261 euro është mesatarja e vlerës së fituesve në fuqi të Kupës UEFA. Shtatë herë kampioni i Francës, Olimpik Lion, ka një vlerë prej mesatare prej 6 169 118 eurosh.

Brian Filipi i dhuron barazimin Ravenës

Brian Filipi i dhuroi një barazim të çmuar Ravenës në barazimin 1-1 në transfertë me Legnano, në javën e fundit të fazës së parë të Serisë C1 në Itali. Sulmuesi i talentuar 19-vjeçar barazoi golin e shënuar nga vendasit. Gjatë një interviste të publikuar në faqen zyrtare të Ravenës, pas shënimit të golit të dytë të tij në kampionat, pas atij kundër Portogruaro, kësaj radhe me kokë, u shpreh: “Goli im është edhe meritë e Zekinit, që më vendosi në një pozicion të mirë shënimi”. Takimi i ardhshëm i Ravenës, që përkon edhe me fillimin e fazës së dytë, është ai në shtëpi me Pergokremën. Ravena grumbulloi në fazën e parë 19 pikë.
Bogdani - Sulmuesi i Kievos, Erjon Bogdani, iu rikthye futbollit të luajtur pas një mungese relativisht të gjatë. Futbollisti i Kombëtares shqiptare u aktivizua nga minuta e 85-të në takimin e humbur të Kievos në shtëpi me Xhenoan (0-1). Për vetë kohën e pakët Bogdani nuk u vlerësua me notë, siç ndodh zakonisht me lojtarët e aktivizuar në një takim.

Evertoni, pas Canës, kërkon Niangun

Evertoni e ka me Olimpikun e Marsejës. Pas kapitenit shqiptar Lorik Cana dhe mbrojtësi Ronald Zubar, edhe sulmuesi Mamadu Niang ndodhet në “copat e letrës së shënimeve” të trajnerit Devid Mojes. Lajmin për “lakminë” e klubit të dytë të Liverpulit, vendi i shtatë aktualisht në Premier Ligë, e dha e përjavshmja britanike “Sunday People”. Të dielën, Olimpiku i Marsejës pësoi një zhgënjim të vërtetë në shtëpi. Skuadra e kapitenit shqiptar, Lorik Cana, humbi 3-0 me Nansin, duke pësuar edhe humbjen e tretë në shtëpi. Hadji (2) dhe Dia vulosën edhe e humbjen e thellë në “Velodrome”, ndërsa olimpikasit ishin thuajse “memecë” në vijën e parë. Lorik Cana luajti gjatë gjithë takimit.

Kastrati në fushë, por vetëm nota 5

Sulmuesi Bekim Kastrati luajti për herë të parë gjatë këtij sezoni nga fillimi i takimit për Fortuna Dyseldorfin, por loja e ish-lojtarit të Kombëtares shqiptare në barazimin 0-0 me Padebornin ishte mesatare dhe u vlerësua nga revista sportive gjermane “Revier Sport” me notën 5. “Nuk e ndjeu dhe nuk u vendos mirë në fushë. Pësoi dhe shkaktoi shumë faulle, ndërkohë që përpara zëvendësimit u ndëshkua me karton të verdhë”, - shkruante gazeta gjermane.

Policia gjermane, “kundër” Ervin Skelës

Ndeshja miqësore midis Energi Kotbusit të Ervin Skelës dhe Dinamos së Berlinit, skuadër e Oberligës gjermane, e planifikuar për më 24 janar 2009, nuk do të zhvillohet. Policia e ka anuluar atë për probleme sigurie. Lajmi u dha nga zëdhënësi i shtypit të Kotbusit, Roni Gersh. Si skuadër e mundshme zëvendësuese për testin e Energisë shikohet Chemintzer. Në një ndeshje të 7 dhjetorit midis Tenis Borusia Berlinit dhe Dinamos së Berlinit u plagosën 58 persona dhe 18 të tjerë u ndaluan nga policia.

Hamilton: “Nuk trembem nga kritikat”

“Kritikat tani bëjnë pjesë në jetën time. Nuk është vetëm një fakt i lidhur vetëm me mua, por gjithë personave që nuk u pëlqen të humbasin”. Hamilton shfaqet i drejtpërdrejtë. Kampioni britanik e di që është “antipatik” për disa. “Vendi im i parë ishte një goditje e fortë për shumë veta”. Për sezonin e ardhshëm piloti i Meklarenit thotë: “Mund të jap më shumë dhe të bëj më pak gabime”.

Japonia kërkon një Botëror

Presidenti i Federatës Japoneze të Futbollit bëri të ditur se Japonia ka avancuar në shpalljen e kandidaturës për organizimin e Botërorit të vitit 2018 ose 2022. “E dëshirojmë këtë kompeticion”, - tha Inukai Chi. “Nëse Tokio do të presë Olimpiadën e vitit 2016, mund të kemi stadiumet më të mira dhe qendrat stërvitore më moderne”, - konfirmoi ai. Organizmi i Botërorit 2018 dhe 2022 do të vendoset nga FIFA në dhjetor të vitit 2010.

23 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›