E Shtunë, 31 Tetor 2026

Enkelejda Shkoza, koncert bamirësie për Krishtlindjet



Më 24 dhjetor, në sallën e Teatrit Kombëtar në Tiranë, para të ftuarve nga fushat e artit, muzikës dhe politikës, mexosopranoja Enkelejda Shkoza do të japë një koncert bamirësie me rastin e festës së Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri. Janë shoqatat “Artema” dhe “Camerata e Tiranës” ato që e sjellin me rastin e festave të fundvitit këtë koncert të veçantë. Bashkëpunimi i radhës është me këngëtaren mexosoprano Shkoza, e cila shkëlqen jo vetëm në Itali ku jeton vitet e fundit, por edhe më gjerë. Sipas organizatorëve të këtij koncerti, një ngjarje e tillë është një mundësi jo e përditshme që u jepet artdashësve shqiptarë në kryeqytet për të parë dhe dëgjuar këngëtaren e suksesshme. “Ne jemi të nderuar që kthimin e saj në atdhe, pas kaq shumë vitesh, artistja ia ka besuar shoqatës sonë dhe ‘Kameratës së Tiranës’”, – pohojnë organizatorët në një njoftim për median, ndërkohë që bëjnë të ditur se i pranishëm në këtë koncert do të jetë dirigjenti i njohur francez Zhan Mikel Feran (Jean Michel Ferran). Gjithashtu, kjo mbrëmje gala realizohet në bashkëpunim të ngushtë me fondacionin shqiptar “Domenik Skalione”, me presidente znj. Liri Berisha. Organizatorët deklarojnë po kështu se çdo e ardhur që do të arkëtohet nga shitja e biletave të kësaj mbrëmjeje do të shkojë në ndihmë të fondacionit “Domenik Skalione”, i cili këtë fundviti është i angazhuar me ndërtimin e Qendrës Mjekësore Kombëtare për Fëmijë.

.

23 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›