Starton “Onufri”, 13 artistë shqiptarë në garë, asnjë i huaj
Dje ka startuar në Galerinë Kombëtare të Arteve ekspozita e konkursit ndërkombëtar të arteve pamore “Onufri 2008”, nën kujdesin e kuratorit italian Rikardo Kaldura. Janë 13 artistë shqiptarë që garojnë kësaj here në këtë bienale, e cila ka mbërritur tashmë në edicionin XV të saj. Tema e “Onufri 2008” është përgjigjja në mënyrë artistike e pyetjes: “A e dini vendin ku lulëzojnë paradokset?” Kuratori Kaldura e ndërton ekspozitën
mbi konceptin e një vargu të Gëtes “A e dini ku limonat lulëzojnë?”, varg nga i cili shkrimtari gjerman i referohet Italisë si vendi i limonave. Kaldura e huazon shprehjen duke iu referuar Shqipërisë si vendi i paradokseve dhe ekspozita është ndërtuar pikërisht mbi këtë temë. Konkursi financohet nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si dhe Galeria Kombëtare e Arteve. Ai synon paraqitjen e zhvillimeve, teknikave dhe provokimeve më të reja artistike në fushën e arteve pamore. Prof. Kaldura thotë: “Në këtë ekspozitë gjejmë në mënyrë metaforike gjendjen e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, një reflektim mbi tokën dhe gjuhën e artit, mënyrën si vjen te publiku ky art...”. Ndarja e çmimeve për më të mirët kësaj here do të bëhet më 14 janar 2009. Ndërsa drejtori i GKA-së, Rubens Shima, shprehet: “Besoj që kjo ekspozitë, e cila është e para që kurohet nga një ekspert i huaj, do të ndërtojë një traditë të re në GKA pa lënë mënjanë edhe ekspertët shqiptarë”. Vlen të theksohet fakti që sivjet asnjë artist i huaj nuk merr pjesë në ekspozitën që duhej të ishte ndërkombëtare, sikurse edhe vetë përcaktimi në emrin e saj. Të ketë të bëjë kjo gjë ndoshta me luhatjen e reputacionit të “Onufri”-t, apo thjesht një zgjedhje e prof. Rikardo Kaldurës?! Gjithsesi, ekspozita ndërkombëtare e arteve pamore “Onufri” do të qëndrojë e çelur në GKA deri më 2 shkurt.
P. GROSI
Artistët pjesëmarrës
Idlir Koka
Eltjon Valle
Elsa Martini
Dritan Hyska
Alban Hajdinaj
Heldi Pema
Orion Shima
Pleurat Xhafa
Dritan Zeneli
Gentian Shkurti
Yllka Gjollesha
Shpëtim Kërçova
Fani Zguro
Juria ndërkombëtare
Nisim Tal - drejtor i Përgjithshëm i Muzeut të Artit në Halifa (Izrael)
Raja Zomer - drejtore dhe kuratore e muzeut “Janko-Dada” në Ein-Hod (Izrael)
Elizabet Neilson - kuratore dhe drejtoreshë e Zabludouivvicz Collection në Angli
Daniele Kapra - kritik arti për revistën italiane “Exibart”
Parid Teferici – poet
23 Dhjetor 2008