E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ahtisari: Mosnjohja e Kosovës, pengon hyrjen e Serbisë në BE

Laureati i Çmimit Nobel për Paqe, Marti Ahtisaari i bëri thirrje sot Bashkimit Evropian të mos pranojë Serbinë në familjen 27-anëtarëshe, para se ky shtet të njohë pavarësinë e Kosovës.
"Përvoja e këtij viti na ka treguar se nuk mund të pranojmë ato vende që nuk kanë marrëdhënie të mira me fqinjët. Shtetet që kanë qenë të përfshira në konflikte duhet të jenë në gjendje të pranojnë realitetin dhe në rastin e Serbisë, ajo duhet të njohë Kosovën e pavarur, para se të hyjë në Bashkimin Evropian", tha Ahtisari, sipas korrespondentes së Radio Televizionit të Kosovës në Bruksel.
Këtë deklaratë, ish i dërguari special i OKB-së në negociatat për statusin e Kosovës e bëri gjatë një seminari mbi zgjerimin e BE-së në Bruksel, ku nënvizoi se qëndrimi i 5 shteteve evropiane kundër pavarësisë së Kosovës do ketë pasoja serioze në zvarritjet e zgjerimit dhe përgjegjësia bie pikërisht mbi vetë këto shtete. Mungesën e unitetit madje edhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Ahtisaari e arsyetoi me raportet e dobëta mes Rusisë dhe shteteve perëndimore dhe tha se vërejtjet nuk kanë qenë të bazuara në parime. Sipas tij, "nëse kriza financiare do të kishte filluar 2 vite më parë, shumë më shumë shtete do e njihnin Kosovën".Pavarësisht nga kjo, ish-presidenti finlandez konsideron se propozimi i tij është më i miri i mundshëm. "Nuk do të dëshiroja të identifikohesha me asnjë propozim tjetër, përveç atij që kam parashtruar", ka thënë Marti Ahtisaari.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›