E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ahtisari: Serbia duhet të pranojë gabimet e së kaluarës

Ish i dërguari i OKB-së për statusin e Kosovës Martti Ahtisaari ka deklaruar se Serbia duhet të pranojë gabimet e së kaluarës në raport me Kosovën, përpara se të anëtarësohet në Bashkimin Europian. Ahtisari ka shtuar se serbët duhet të jenë në gjendje që të jetojnë me të shkuarën e tyre. Ahtisaari është shprehur se mbështet hyrjen e të gjitha vendeve të Ballkanit në BE, por sipas tij Serbia së pari duhet të pranojë se ngjarjet rrodhën në mënyrë jashtëzakonisht të gabuar në qëndrimin serb ndaj Kosovës. Ish-Presidenti finlandez dhe fituesi i cmimit Nobel për Paqen Marti Ahtisari mbajti një konferencë për shtyp në Oslo në prag të tërheqjes së cmimit prestigjoz. Ahtisari ka theksuar se Pavarësia e Kosovës, është e pakthyeshme, pavarësisht qëndrimit të vazhdueshëm të Rusisë dhe Serbisë. "Procesi është i pakthyeshëm. Kosova është e pavarur dhe do të mbetet e tillë. Pavarësia e saj është njohur nga më shumë se 50 vende dhe çfarë është me e rëndësishmja ajo është njohur nga vendet përfaqësuese të ekonomisë botërore. Shpresoj që këto shtete do të bëjnë të mundur futjen e Kosovës në instuticionet financiare ndërkombëtare sa më shpejt të jetë e mundur", u shpreh ish-presidenti finlandez duke shtuar se vende të tjera do të pasojnë në njohjen e pavarësisë së Kosovës. Ahtisari, 71 vjec, ka qenë President i Finlandës nga viti 1994 deri më 2000-në. Ai ka një karrierë të gjatë e të pasur diplomatike. Në konferencën për shtyp në Institutin Norvegjez Nobel, ai foli për disa procese paqeje ku ka qenë përfshirë në karrierën e tij të gjatë. Në vitin 2005, ndërmjetësoi procesin e paqes midis Indonezisë dhe rebelëve të provincës Aceh, në mbylljen e 30 viteve luftime. Ai gjithashtu ndërmjetësoi bisedimet shqiparo-serbe për statusin e Kosovës, ku ishte i dërguari special i OKB-së. Ahtisari ishte arkitekti i planit të pavarësisë së Kosovës nga Serbia.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›