E Diel, 1 Nëntor 2026

Ahtisari:Ndryshimi i kufijve në Kosovë duhet harruar

Ndërmjetësi ndërkombëtar që propozoi pavarësinë e Kosovës si zgjidhje për statusin Marti Ahtisaari, është i kënaqur me përmbylljen e fazës së mbikëqyrjes së pavarësisë së vendit, ndërsa thotë se tani do të nisë faza tjetër, të cilën e përshkruan si një fazë që kërkon angazhim më të madh.
 

Në një intervistë për gazetën “Koha Ditore”, Ahtisaari nuk hezitoi të shprehet i zhgënjyer me pesë vendet e Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës si Greqia, Spanja, Rumania, Sllovakia e Qiproja ndërsa shton se jo vetëm këto vende, por edhe vetë Serbia duhet ta njohin Kosovën si shtet, sepse nuk ka kthum mbrapa.
 

I ndodhur në Kosovë me rastin e fundit të mbikëqyrjes së pavarësisë, Ahtisaari pajtohet me konstatimet se ka edhe shumë punë për t`u bërë, posaçërisht në veri të Kosovës dhe se jo gjithçka është kryer, por insiston se ndërtimi i shtetit është një proces në vazhdim, dhe se vetëm për katër vjet e gjysmë prej se është shpallur shtet, Kosova ka arritur shumë, madje më shumë se që është pritur.
 

Tani Ahtisaari thotë se vëmendja do të përqendrohet tek institucionet e vendit që kanë marrë përsipër përgjegjësinë e plotë për fazën e ardhshme të ndërtimit të shtetit.
 

Gjithashtu në këtë intervistë Ahtisaari thotë se janë një numër gjërash që nuk janë kryer sa i përket çështjes së veriut, mirëpo thotë që nuk do të ketë ndarje territoresh.
 

“Jo, njerëzit duhet të harrojnë atë gjë rreth kufijve. Kur grupi i kontaktit e punoi këtë në vitin 2005, duke i dhënë të ashtuquajturat parime drejtuese, të cilat mu drejtuan mua, kur e fillova punën në nëntor të 2005-ës, Këshilli i Sigurimit tha se kufijtë janë ata që janë dhe ajo gjë nuk ka ndryshuar”, theksoi Ahtisaari.

 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›