E Diel, 1 Nëntor 2026

Takohen Ahmeti-Gruevski për krizën qeveritare

Kryeministri dhe lideri i VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti pritet të takohen lidhur me krizën qeveritare dhe zërat për zgjedhje të parakohshme.
 

Një zyrtar i lartë i Qeverisë tha se takimi Ahmeti dhe Gruevski do të zhvillohet sonte ose nesër, ku në axhendë do të jetë kriza qeveritare dhe tensionet midis dy partive që kulmuan me Projekt – Ligjin për përkujdesje institucionale për ish-pjesëtarët e forcave maqedonase të sigurisë të ashtuquajtur “branitellat” e 2001.
 

“Sipas informacioneve që kemi me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve do të realizohet takimi midis Ahmetit dhe Gruevskit dhe pritet definimi apo përkeqësimi i raporteve të bashkëqeverisjes”, theksoi një zyrtar i Qeverisë.
 

Liderët e dy partive në pushtet janë takuar dy javë më parë kur shpërtheu kriza qeveritare, pas homazheve në varrezat e UÇK-së nga ministri i mbrojtjes, Fatmir Besimi dhe pjesëtarë të ARM-së, një akt që shkaktoi revoltën dhe reagimin e VMRO-DPMNE, e cila menjëherë reagoi me projekt –ligjin për “branitellat”, duke shmangur zgjidhjen e statusit për UÇK-në.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›