Iraku nen sulm mungon sherbimi i inteligjences ne vend

20 atentate brenda 48 orësh. Iraku ndodhet në një situatë që cilësohet si jashtë kontrollit ku grupe të Al Kaedës dhe ekstremistët sunitë këtë fundjavë kanë shkaktuar më shumë se 50 të vdekur dhe rreth 120 të plagosur. Bilanci më I rëndë I viktimave është ai në Amara, në jug, ku shpërthimi I dy autobombave ka shkaktuar vdekjen e 16 personave. Në Balad, në veri të Bagdadit, 11 ushtarë janë vrarë dhe 8 të tjerë janë plagosur në sulmin kundër një postblloku ushtarak. Vala e sulmeve ka mbuluar pothuajse të gjitha qytetet kryesore. Edhe pse incidentet e dhunshme kanë shënuar rënie që nga viti 2006, forcat irakiane të sigurisë janë ende objektiv sulmi. Vetëm gjatë muajit gusht ka pasur rreth 278 të vdekur. Rritja e numrit të sulmeve terrorise ka të bëjë edhe me një mangësi mjetesh si dhe atë të shërbimit të inteligjencës. Këto dhe faktorë të tjerë kanë inkurajuar terroristët që të përdorin stilin e sulmit dhe më pas arratisjes, duke bërë që mos të ketë arrestime. Qeveria irakiane, e ndarë mes shiitëve, kurdëve dhe sunitëve, nuk po arrin që të bllokojë grupet islamike që godasin shumë lehtësisht ndërtesat publike. Një autobombë ka shpërthyer para selisë së kompanisë kombëtare të naftës. 7 viktimat po kërkonin punë si roje sigurie. Por atentatet mund të kenë lidhje edhe me dënimin me vdekje të ish zëvendës presidentit Tarek Al Hashemi, i cili u shpall fajtor për vrasjen e një gjenerali dhe një avokati.