E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ai që po mbytet mbyt edhe të tjerë

Konstatimi që zë vendin e titullit të këtyre radhëve nuk një rast përjashtimor apo i çuditshëm, por i vështruar dhe i provuar shpeshherë. Pra, shumëkush e di tashmë se, kur një njeri që dallgët e vrullshme dhe mosushtrimi prej tij i notit ia rrezikojnë jetën, me forcën e grahmave të fundit mund të tërheqë pas vetes në thellësitë e rrezikshme edhe të tjerë që përpiqen ta ndihmojnë. Ata të tjerë, që me instinktin e besnikërisë apo të frikës, të tradhtisë apo të poshtërimit, të tmerrit apo të dhimbjes vërsulen të tronditur, duke britur apo qarë drejt atij që po shuhet një herë e mirë. Pra, ata të tjerë që bëhen kështu, qoftë edhe rastësisht, pre dhe viktima të atij që duan ta shpëtojnë.
Ky konstatim i shndërruar në një gjetje alegorike, sigurisht që kërkon të shoqërohet edhe me pasoja të vlerave deri diku të krahasueshme me ato të rrjedhave më konkrete dhe më dëmsjellëse. Prandaj, mbase nuk do ta tepronim që në këto radhë ta shfrytëzonim këtë lloj gjetjeje, për të tërhequr vëmendjen në disa prej zhvillimeve politike më të fundit në vendin tonë, burimi i ngarkesave negative të të cilave gjendet më së shumti te këmbëngulja e një njeriu, si Sali Berisha, për të mbajtur pushtetin personal dhe klanor me çdo kusht dhe me çdo çmim. Dhe, atëherë kur të dërguarit e shteteve aleate, si edhe të organizmave ndërkombëtare me autoritet të padiskutueshëm i tërheqin kryeministrit tonë vëmendjen (apo veshin?), për të gjetur konsensusin me të gjitha forcat politike, në zbatim të ligjit, për të futur në binarë komponentët dhe procesin elektoral të zgjedhjeve të pritshme, Berisha vijon të prevalojë mbi këto këshilla hipokrizinë proverbiale dhe autoritetin e pabazë të tij: "Askush nuk ka mandat të interpretojë ligjet e një vendi. Askush s'ka mandat të marrë atribute, sepse mënyra sesi funksionojnë qeveritë e vendeve të lira është një mënyrë e mrekullueshme, është një mënyrë transparente".
Por, cila është mënyra e funksionimit të kësaj tonës? Nuk po zgjatemi me shumë bëma dhe gjëma që kjo i ka shkarkuar në shpinë popullit shqiptar, as me uzurpimin e pavarësisë së institucioneve kushtetuese dhe nënshtrimin e veprimtarisë së administratës publike në funksion të pushtetit politik të këtij klani etj., etj., sepse nuk janë objekt i artikullit të sotëm. Më mirë të përqendrohemi konkretisht te disa deformime që po i bëhen këtij procesi zgjedhor dhe pasojat që mund të vuajnë disa funksionarë publikë prej shpërdorimit (ndërgjegjësisht, militantisht apo frikësisht) të detyrave të tyre dhe përshtatjes që u bëjnë këtyre detyrave nën shkulmet e presionit politik të kryeministrit dhe klanit të tij. Le ta fillojmë me ngërçin që e ka zënë komponentin kryesor të organizimit dhe administrimit të këtyre zgjedhjeve. Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë, ndryshimet dhe plotësimet e të cilit u bënë vitin e kaluar në mënyrë plotësisht konsensuale të të tëra partive parlamentare, për strukturën e KQZ ka lejuar që fillimisht propozimet e kandidaturave për anëtarë të këtij organi të vijnë nga këto parti, sipas një formule të atillë të parashikuar në nenin 14 të Kodit, që do të mund të krijonte apo të siguronte një balancë politike. Por, pasi këta anëtarë emërohen në detyrë, ligjërisht nuk ka rëndësi prishja e mundshme e balancave, siç ndodhi me fillimin e muajit të kaluar. Ligjërisht kjo nuk ka vërtet rëndësi, sepse Kodi jep për çdo anëtar të KQZ vizionin e disa individëve të veshur me "togën" e paanshmërisë, profesionalizmit dhe të varësisë vetëm ndaj ligjit. Kodi e pretendon nga anëtarët e këtij organi një sjellje të tillë, nëpërmjet bërjes së një betimi publik të çdonjërit prej tyre, me qëllim arritjen e rezultateve zgjedhore të pakontestueshme dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare, çka parashikohet te parimet e renditura në nenin 3 të këtij ligji integral.
Zëvendësimi antiligjor që iu bë nga mazhoranca e drejtuar prej partisë së kryeministrit Berisha një anëtari të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve solli natyrshëm dorëheqjen e tre të tjerëve, duke u mpakur ndjeshëm përbërja e këtij organi. Njëherazi, më lehtësisht u shthur veprimtaria e këtij organi, duke u marrë prej anëtarëve të mbetur vendime, për të cilat Kodi urdhëron një kuorum më të gjerë dhe votën e një shumice të cilësuar. Madje, ende pa u diskutuar konkretisht ndonjë skemë për riformatimin e domosdoshëm të KQZ, kryetarja aktuale e tij deklaroi gjatë një debati të djeshëm në Komision, se nuk do të jepte asnjëherë dorëheqjen. Gjithashtu, "të mbeturit", me këtë përbërje të cunguar po japin në vazhdimësi të dhëna për besnikëri ndaj pushtetit politik të Berishës, duke i lënë fushë të hapur shkeljes së ligjit. Kështu, për shembull, ndonëse gjatë fushatës për zgjedhje janë përdorur jo vetëm fonde, mjete dhe materiale - pronë shtetërore, por edhe burime njerëzore të administratës publike, çka përbën cenim të hapur të nenit 3 (pika 7) e Kodit. E megjithatë, "të mbeturit" në KQZ nuk dëgjojnë nga ai vesh, ashtu sikurse nuk reagojnë aspak për zhvillim të fushatës nëpër institucione publike, çka bie ndesh me nenin 78 (pika 5) të Kodit.
Këtu nuk po ndalemi te sanksionet administrative që parashikon Kodi Zgjedhor në plot tetë nene të tij, por te vepra penale e shpërdorimit të detyrës, për konsumimin e së cilës Kodi Penal (neni 248) përcakton, se: "Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve a e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jomateriale të padrejta a kanë dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, nëse nuk përbën vepër tjetër penale, dënohet me burgim deri në shtatë vjet". Në kuptim të kësaj dispozite e dënueshme është edhe veprimtaria e deritanishme e funksionarëve të KQZ, dhe dëmtim i interesave të ligjshme të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë - edhe deformimi i disa elementëve dhe komponentëve të procesit elektoral, çka mund "t'ia ndërrojë rrugën" votës deri te preferenca vetjake dhe te subjekti që duhet të fitojë për të qeverisur vendin gjatë legjislaturës së ardhshme. Këtij sanksioni i duhet përmendur (paraprakisht, sa për kujtesë) edhe ministrit të Brendshëm, Flamur Noka, i cili ndonëse në dhjetorin e kaluar nxori një udhëzim për të shpjeguar rrugët që përcakton Kodi Zgjedhor, për të "pastruar" dhe saktësuar listat e zgjedhësve, asnjëherë nga ministria e drejtuar prej tij nuk u lëvrua fondi i nevojshëm për këtë qëllim, që u duhej shpërndarë njësive të qeverisjes vendore, sipas nenit 52 (pika 5) të këtij Kodi. Gjithashtu, po ky ligj parashikon që nëse vërtetohet se në listat e zgjedhësve një person i caktuar nuk është përfshirë me dashje, apo që në këto lista janë pa përfshirë persona që nuk e kanë të drejtën e votës, dënimi me burgim varion nga një deri në pesë vjet.
Duke qëndruar te legjislacioni penal, por duke e ulur pakëz "pjacën" mbase nuk do të ishte e tepërt të përmenden edhe disa vepra penale, që cenojnë rëndë zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Për shembull, dënohet në bazë të Kodit Penal çdo lloj falsifikimi i dokumenteve të identitetit, por edhe i materialeve zgjedhore, siç mund të jenë fletët e votimit, protokollet apo procesverbalet e mbledhjeve të komisioneve zgjedhore etj. Duke u kthyer te faza aktuale e këtij procesi elektoral, nuk mund të mos përmendim edhe rastet, kur shtetas që janë në varësi administrative, kundër vullnetit vetjak detyrohen që të përfshihen në veprimtari zgjedhore të një subjekti të caktuar. Se cili mund të jetë ky subjekt konkretisht për këto zgjedhje nënkuptohet lehtësisht. Sikurse, ndëshkimi i kësaj vepre penale, pra detyrimi apo organizimi për të marrë pjesë i nxënësve të arsimit parauniversitar nga punonjës që kryejnë një detyrë shtetërore në arsimin publik ose një funksion në atë jopublik, qartë paraqitet në nenin 328/a (paragrafi i dytë), ku parashikohet një dënim me burgim nga tre muaj në një vit.
Këto që u përmendën më lart janë vetëm disa vepra penale dhe dispozita, nga përmbajtja e të cilave dënimi parashikohet jo fort i lehtë. Dhe, nëse deri tani në Shqipërinë e periudhës së tranzicionit këto norma nuk kanë gjetur shprehje të gjerë dhe konkrete, kjo nuk do të thotë që mungesa të tilla do të vazhdojnë deri në infinit. Sidoqoftë, meqë nuk mund të jem i sigurt, se veprimet dhe dënimet e përmendura këtu nuk do t'i dalin lexuesit nga mendja ose nuk do të keqkuptohen prej tij, po i lejoj vetes për të bërë një sqarim: kultura e ndëshkimit, aq e domosdoshme për funksionimin normal të shtetit shqiptar, si edhe mbrojtjes prej tij të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, me sa kuptohet do të fillojë pikërisht pas këtyre zgjedhjeve, duke aplikuar sanksione administrative dhe penale për shkeljet e vërtetuara. Pra, siç thotë një proverb: "Me të paktin le të shkojnë edhe të shumtit fajtorë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›