E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fushata tallava dhe shtirake me krizën

Dy anëtarë të një ekipi fushate debatonin pak ditë më parë për një shkrim të Friedman se sa ngushtë qëndron e lidhur ekonomia me politikën dhe anasjelltas. Të këndshëm, veshur bukur, me artikulime të qarta, ndoshta debatin mund ta bënin po kaq mirë edhe në anglisht, të dy djemtë mundoheshin t'i mbushnin mendjen njëri-tjetrit se kush dominon sot në këtë kohë krize: politika apo ekonomia... Mjaftoi një zile tek një nga i-Phone t'ua ndërpriste bisedën. Shefi u kërkonte llogari se pse karriget s'ishin vendosur mirë, posterat ishin shtrembër, dhe se kush i kishte thirrur ato fytyrat e murrëtyera që rrinin te cepi... Episodi i treguar gjendet në fushatën e sotme, ku slogane bombë, premtime, shprehje ekonomike me artikulime boshe për të ardhmen e vendit, i lënë vendin njëra-tjetrës. Pa qenë ekonomistë, juristë dhe pa formim të shkencave politike, Rama dhe Berisha, dy mëtonjësit e ardhshëm të kreut të vendit, duket se nuk e dinë, ose më saktë nuk kuptojnë se çfarë mund t'i flasin realisht, në këtë kohë krize, publikut krejt të lodhur nga tranzicioni i pafund. Ndaj, imazhet e fundit, të ngulitura më saktë në mendjet e publikut, janë thjesht dajrja e pretendentit për kryeministër Rama dhe fyelli i kryetares së ditëve të saj të fundit të Kuvendit, Topalli.
Në çdo ditë, ekipe të tëra të rinjsh dhe stafesh ndjekin sipas stilit alla shqiptar dy pretendentët për kryeministrin e ri të Shqipërisë, post Qershor '13. Berisha, me pafytyrësinë më të madhe kërkon mandatin e tretë, edhe pse e ka zhytur vendin në një varfëri skajore, kurse tjetri, pa fare modesti e kërkon mandatin e parë, me pretendimin se do ndryshojë gjithçka me patosin e personazheve të romaneve të realizimit socialist. Edhe pse ky i dyti ka luksin në fushatë, ngaqë lundron me ndihmën e lodhjes së një Shqipërie krejt të drobitur, papunësie masive, presioni të paparë ndaj njerëzve, biznesesh të asfiksuara dhe probleme sociale gati të ngjashme me vendet më të pasme të Botës së Tretë.
Por, në shtegun për të rrëmbyer karrigen e Njëshit, Rama dhe Berisha, si dhe kolegët e tyre të partive të tjera më të vogla, po na tregojnë qartë se administrimin e Shqipërisë nuk e kanë asfare seriozisht. Pasi shkëlqimit që të lëbyr sytë prej reklamave milionëshe; poteres tallava që shoqëron retorikën e dy pretendentëve; premtimeve të parealizueshme; mungon sjellja ndaj krizës dhe veprimi real në fushatë në kushte si të tilla. Që do të thotë, që të dy palët mund të ishin më të kursyera në skenografitë e lëbyrshme milionëshe dhe shpenzimet e tjera marramendëse të fushatës. Për ironi, këtë e kanë bërë me kujdes në vitet e fundit të gjitha simotrat evropiane të majta e të djathta, kudo qoftë, që politikanët tanë përpiqen t'i imitojnë.
Berisha premton tashmë viza amerikane (ndërkohë po bien sërish kambanat për kthimin e vizave nga Evropa) dhe 250.000 vende pune, e nuk na thotë akoma se si do t'i lajë borxhet mbytëse që janë krijuar në mandatin e tij, ndërsa kolegu i tij kundërshtar i fushatës, Rama shton se do zgjidhë si Demokleu pronat, turizmi do shtohet, do rishikohen taksat, do rivitalizohen zonat rurale etj. E se si mund t'i zgjidhë, e di vetëm ai, pasi vendi e ka të pazgjidhshëm problemin themelor të pronave (sot mbushur me shumë gjak), apo të dytin, ku shpërngulja pa kriter e popullsisë i bën të pamjafta idetë për vitalizmin e zonës rurale, që tashmë është larguar masivisht, një element që po ndodh edhe në të gjitha vendet e Ballkanit apo turizmit, që infrastruktura reale shqiptare nuk i zgjidh dot edhe për disa dekada të tjera. Premtimet, megjithatë s'ndalen.
Projekte të tilla do merrnin jetë dhe do ishin të besueshme kur partitë do na rrëfenin se si do shkurtonin të ardhurat në xhepat e tyre. Dhe, kjo do dukej nga një fushatë e bërë thjesht dhe transparente, apo nga transparenca e duhur e donacioneve të biznesmenëve, që po e sponsorizojnë gati anonimisht këtë tallava publike. Të paktën, këta të fundit, sikur të mendonin dhe të ishin kaq bujarë edhe për të punësuarit e tyre në këtë mënyrë, do kishim shumë më pak shqetësime sociale. Dhe, ndaj ndodhin paradokse të tilla në Shqipëri, kur bëhen Konventat e PS-së dhe PD-së me shpenzime të mëdha, të ngjashme me aktivitetet në vende që kanë prosperitete shekullore, shtuar me forume apo show gati të përditshme, ndërsa nuk mund të gjeneroheshin dot edhe ato pak mijëra dollarë për të cilat kishte nevojë të vazhdonte jeta e një fëmije (bërë publike në "News 24")! Apo mblidhet PDIU-ja me një aktivitet të jashtëzakonshëm dhe e përcjell PR-ja me një të tillë, me përfaqësime gati modeste në parlament.
Kjo të bën të besosh se forcat e sotme politike, që nuk i japin dot as përmbajtjen më thelbësore humane idesë së programit të tyre, nuk mund të krijojnë kurrë modele ekonomike, që ta zhvillojnë vendin. Jo më kot, Shqipëria në 23 vjet, ka treguar se është e njohur për mungesë modeli. Të mendosh, mjaftoi kriza në Greqi e Itali të kuptoje se përsiatjet e ekonomistëve dhe sidomos politikanëve tanë kryesorë (shpesh profanë në ekonomi) ishin thjesht blofe, pasi ekonomia jonë mbetet e bazuar totalisht në punën e emigrantëve, si dhe ato pak punë të tjera që lidhen me trafiqet, do shprehej një nga ekonomistët më të njohur të vendit. Thjesht rënia ekonomike e fqinjëve grekë dhe italianë, që solli mungesën e të ardhurave nga emigrantët dhe ulja e trafiqeve të të gjitha llojeve, prej punës së mirë të disa qeverive në këtë drejtim dhe kontrollit më të madh të Komunitetit Evropian ndaj këtyre trafiqeve, e zhyti vendin në krizë.
Ja pse në vitin 2013 partitë kryesore shqiptare duhej t'i tregonin elektoratit shqiptar se e kishin me gjithë mend drejtimin e vendit në këtë kohë krize dhe jo mbijetesën e racës së tyre deputetore, mbushur me kushërinj, biznesmenë dhe njerëz të paaftë e të turpshëm. Një fakt që na e bën edhe më të vështirë daljen tonë nga kriza, që edhe pas qershorit pritet të jetë e avashtë, ndikuar edhe nga zhvillimet ekonomike në Bashkimin Evropian, rajon e më gjerë.
"Ekonomistët klasikë politikë si Smithi dhe Rikardo, kurrë s'e përdornin thjesht termin 'ekonomi' të veçuar nga koncepti politik", bisedonin djemtë e fushatës, por pa mundur t'i shpjegonin shefit që mëton pushtetin, se kriza e vendit do t'ua tregojë sërish shpejt fytyrën në mandatin e ardhshëm. Atëherë kur s'do kenë më ç'të premtojnë, por do trokasin si lypsarë për borxhe. Friedman këtë e shpjegon me mungesën e legjitimitetit financiar, kurse politikanët tanë, praktikisht..., me mungesën e përgjegjësive reale për vendin e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›