E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokuroria zbardh dosjen, Bizhdili rrezikon burgun

Rreth një muaj më parë "Gazeta Shqiptare" shkruante mbi hetimet që po kryente Prokuroria dhe tashmë gjithçka është bërë publike: Nexhat Bizhdili do të thirret si i pandehur për veprën penale të paracaktimit të rezultateve të ndeshjeve të futbollit. Bizhdili rrezikon burgun (deri në 7 vjet), ndërsa mund të penalizohet edhe Besa me rënien nga kategoria. Ja më saktë raporti i Prokurorisë: "Çështja penale e vitit 2012, mbi bazën e materialit të referuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, është regjistruar fillimisht për kryerjen e veprës penale të paracaktimit të rezultateve në garat sportive (neni 197/a paragrafi i dytë), nga disa shtetas maqedonas, serbë, si dhe shtetasi i njohur me emrin 'Nexhi', i cili më pas rezultoi të ishte i pandehuri Shpëtim Bizhdili, që ka kryer veprime në mënyra të ndryshme, për të paracaktuar rezultatin e ndeshjeve të skuadrës së Besës në Superligë dhe për ekipet Besa U-17 e U-19."
NDESHJET
"Për ndeshjen e datës 25.11.2012, mes Apolonisë dhe Besës (2-1), i pandehuri ka kërkuar të flasë me ndonjë nga lojtarët e Apolonisë, për t'u dhënë një "tridhjeçe", ka folur me arbitrin kryesor Ervis Peza, anësorin Denis Agaraj, ku këtij të fundit i ka thënë se donte që ai ta favorizonte për ndeshjen. Gjithashtu, i pandehuri ka vënë në dispozicion shumën e 15 mijë dollarëve, ose këtë shumë në lekë ose euro, për t'ua dhënë 2-3 lojtarëve fierakë dhe arbitrave. Në bisedën që i referohet ndeshjes Tomori-Besa (1-0), Bizhdili ka kërkuar që beratasit t'i linin ndeshjen kundrejt 1 milion lekëve."
"I pandehuri Bizhdili ka folur me arbitrin kryesor të ndeshjes Besa-Shkumbini dhe gjithashtu me arbitrin Lorenc Jemini, i cili ka marrë përsipër të flasë me arbitrat anësorë të ndeshjes, për të paracaktuar rezultatin e saj në favor të skuadrës së Besës. Arbitrit kryesor të ndeshjes i ka thënë se e kishte parasysh vetë, me dy të tjerët kishte folur, prandaj të bënte të pamundurën, pasi nuk e kishte veten më në rrezik se në këtë ndeshje. Pavarësisht sa më sipër, ndeshja e datës 24.2.2013, në orën 14.00, ka dalë me rezultatin 1-1. Nga ana e të pandehurit janë kryer veprime në funksion të përcaktimit të rezultatit, edhe për ndeshjet e luajtura midis Besës dhe Tiranës dhe Besës dhe Luftëtarit, të luajtura përkatësisht në datat 10.3.2013 dhe 17.3.2013, në orën 14.00. Për ndeshjen me Tiranën, i pandehuri ka biseduar me arbitrin kryesor të caktuar për këtë ndeshje dhe me përfaqësuesin e klubit Tirana, ku të parit i ka kërkuar ndihmën e tij gjatë arbitrimit të ndeshjes dhe në dhënien e kartonëve, ndërsa shtetasi tjetër do e ndihmonte me anë të tifozëve dhe këshilla mbi formacionin e Tiranës. Përfundimisht, ndeshjen me Tiranën e ka fituar skuadra e Besës, me rezultatin 2-1. Në ndeshjen e luajtur në datën 17.3.2013, ora 14.00, midis Besës dhe Luftëtarit, i pandehuri ka ndërhyrë që të hiqej arbitri i caktuar për këtë ndeshje dhe të vihej një nga Tirana. Megjithëse arbitri nuk është ndryshuar, i pandehuri i ka kërkuar këtij të arbitrojë në favor të tij. Edhe kjo ndeshje është fituar nga skuadra e Besës me rezultatin 2-0."
BESA U-19 & U-17
"I pandehuri Shpëtim Bizhdili ka influencuar për paracaktimin e rezultatit të ndeshjes që zhvillohej mes Besa U-19 dhe Dinamos U-19 për të fituar skuadra e Besës. Kjo do të realizohej duke futur lojtarët rezervë, të dobët, ku edhe në qoftë se ndeshja dilte në favor të skuadrës së Dinamos, do të bëhej ndonjë gabim në protokoll dhe ndeshja do të merrej në tavolinë, por i pandehuri duhej të kapte edhe arbitrin. Kjo ndeshje faktikisht ka përfunduar me rezultatin 0-0, pavarësisht veprimeve të kryera nga i pandehuri. Në ndeshjen e datës 2.12.2012, mes të rinjve kavajas dhe Lushnjës, ka kryer veprime me qëllim që paratërinjtë e Kavajës t'ia linin trepikëshin Lushnjës, pasi ishin në vend të fundit. I pandehuri ka folur me trajnerin e paratërinjve të Besës, ta linte lojën për Lushnjën, se ia gjente më pas këto pikë. Trajneri i paratërinjve të Besës nuk ka pranuar ta bëjë dhe kjo ndeshje është fituar nga Besa me rezultatin 2-1."
(a.k/E.Ilnica/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›