Aida Shtino:Ju rrëfej arsyet e divorcit me tim shoq
Më në fund ajo vendos të flasë. Pas ekranit të televizorit shfaqet e fortë dhe e vendosur për t’i shkuar gjërave deri në fund. Ndoshta e tillë ishte edhe në momentin kur premtoi “bashkë deri sa vdekja të na ndajë”. Por ja që jeta nuk është një rrugë e drejtë dhe e shtruar. Dhe Aida Shtino e di fare mirë këtë. është bërë tashmë publik lajmi se gazetarja dhe drejtuesja e njohur e emisionit “Njerëz të Humbur” ka bërë kërkesën për divorc nga bashkëshorti. Një lajm ky, që nuk kaloi pa tërhequr vëmendjen, sidomos të ndjekësve të rregullt të emisionit të saj. Në një intervistë ekskluzive për revistën “Psikologji”, e cila del nesër në treg ajo tregon të gjitha arsyet e vërteta që e detyruan të trokasë në dyert e gjykatës. është hera e parë që ajo rrëfehet për bashkëjetesën e saj, çfarë nuk shkoi në jetën e çiftit, si e mori vendimin e ndarjes, si u prit ky vendim nga të afërmit e saj e aq më shumë nga i biri adoleshent. është një rrëfim i sinqertë, i një gruaje, i një nëne dhe një njeriu të pasionuar pas punës që bën. Dhe një gjë të tillë ajo nuk mund ta bënte më mirë se tek një revistë si “Psikologji”, ku njerëzit nuk mund të thonë veç të vërtetën. Mësojmë se në këtë intervistë, Shtino tregon se sa të vështirë e ka pasur t’i japë fund një marrëdhënieje të gjatë bashkëshortore, që sipas saj, nuk kishte më kuptim të vazhdonte. “Asnjë femër s’dëshiron të shkatërrojë familjen”, këmbëngul ajo. Por... nganjëherë “shkatërrimi” i diçkaje që e ke ngritur me dëshirë e mund, është i pashmangshëm. Si një njeri që mundohet t’i qëndrojë larg hipokrizisë, ajo dëshiron të jetë e vërtetë deri në fund. Ajo pranon të flasë edhe për gabimet e saj. “Do isha shumë egoiste nëse do të thosha që nuk kam bërë gabime. Por, jam munduar të mësoj nga ato. Janë gabimet e mia, dhe çdo gabim ka dhe pasoja”, thotë ndër të tjera gjatë intervistës Shtino. Por ajo nuk bëhet pishman për asgjë. Pyetjes së çfarë do të ndryshonte në jetën e saj, nëse do të kthehej pas, ajo i përgjigjet “asgjë”, pasi është jeta e saj, një eksperiencë që do ta jetonte gjithsesi. Si një njeri publik, ajo e ka të qartë që shumëkush është i interesuar për jetën e saj, por ajo nuk beson se privatësia e saj mund të ndikojë në imazhin që ajo tashmë ka krijuar përpara një publiku të gjerë. Ka pasur zhgënjime sigurisht. Ajo nuk mund ta mohojë këtë. Tregon për zhgënjimet e së kaluarës, por edhe me ato, që i duhet të përballet çdo ditë. Të vjetrat e kanë bërë ta humbasë Aidën e dikurshme, të brishtën, naiven, të çiltrën. Të rejat, janë të papritura për të. E ka fjalën për reagimin e njerëzve që e rrethojnë, lidhur me vendimin e saj, për t’i dhënë fund martesës së saj. Një pjesë e kanë respektuar këtë vendim. “Të tjerë, të cilët mendoja se i kisha miq, pasi kisha investuar për ta në aspektin shpirtëror, më kanë zhgënjyer vërtet. Më kanë kthyer krahët dhe kanë folur kundër meje”. Shtino pranon të flasë edhe për marrëdhënien me të birin, Brendonin. Si e priti ai vendimin e së ëmës për t’u ndarë nga i ati, çfarë e bën lidhjen e tyre të veçantë dhe Aidën, një nënë me fat. Për jetën dhe karrierën e saj, për të shkuarën dhe të tashmen Aida shtino rrëfehet në “Psikologji”