E Diel, 1 Nëntor 2026

I burgosuri tenton vetëvrasjen e tretë brenda gjashtë muajsh

 KORçë - I dënuari tenton të vrasë veten, për herë të tretë brenda pak muajsh. Ka sajuar një litar duke grisur çarçafët dhe pasi e ka lidhur në hekurat e dritares dhe e ka vendosur në pjesën e grykës është hedhur përtokë për t’u vetëvrarë, por fatmirësisht e ka shpëtuar shoku i qelisë. Burime nga burgjet pohojnë se ngjarja ndodhi në qelitë e burgut të Korçës mbrëmjen e së premtes, ndërsa protagonisti i saj është i dënuari përjetë Petrit Verri. Të njëjtat burime pohojnë se Verri kishte paralajmëruar më parë se do vriste veten, ndaj për këtë shkak autoritetet e burgut kishin porositur shokët e tij të qelisë që të interesoheshin për të, duke mos e lejuar që të kryente aktin e vetëvrasjes, si dhe duke sinjalizuar gardianët. Pas ngjarjes, burime nga ky burg pohuan se Verri kishte shfrytëzuar momentin kur shoku i qelisë B.B. nuk kishte qenë i pranishëm, dhe kishte sajuar lakun me rripa të grisur nga çarçafi. Pas kësaj ai i kishte lidhur nga jashtë hekurave të dritares dhe pasi e kishte vendosur në pjesën fytit ishte hedhur përtokë, por ndërhyrja e shpejtë e bashkëvuajtësit ka bërë që edhe kësaj radhe vetëvrasja e tij të mbetej tentativë. Që nga vera e kaluar Verri ka tentuar tre herë ta vrasë veten në qelitë e burgjeve. Herën e parë ai preu damarët, ndërsa herën tjetër i vuri zjarrin qelisë. Në të dyja rastet, u shpëtua nga ndërhyrja në kohë e bashkëvuajtësve dhe autoriteteve të burgjeve. Pas kësaj ai u transferua në burgun e Korçës, ku pretendon se nuk dëshiron të qëndrojë aty. Pikërisht, transferimin nga qelitë e Korçës në ndonjë burg tjetër afër vendbanimit ka përdorur Verri si arsye të vetëflijimit. Në deklarimet që ka dhënë më vonë, ai ka pohuar se familja e tij banon në fshatrat e Malësisë së Madhe dhe e ka të pamundur ta vizitojë në qeli. Ndërkohë, sipas tij, kësaj i shtohet edhe fakti që ai ka kryer krimin në qytetin e Korçës dhe se familjarët e tij i ndruhen ndonjë hakmarrjeje në kohën që vizitojnë Verrin në burg. Paraditen e djeshme, burime nga burgu pohuan se Verri ka paraqitur kërkesë te autoritetet e burgjeve për transferim, por ende nuk ka marrë përgjigje. Burime nga burgjet pohojnë se nëpër disa institucione të vuajtjes së dënimit është e vështirë të transferohet Verri për shkak të problemeve që i ka sjellë bashkëvuajtësve ndërsa tenton të vrasë veten.         fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›