E Diel, 1 Nëntor 2026

Titulli i doktorit, pedagogët e Muzikës, pro e kundër Shupos

 Alma MileShkelje morale, ligjore, apo.. interesash. Një titull doktorature bëri që të plasë sherri në Fakultetin e Muzikës, pranë Akademisë së Arteve të Bukura në Tiranë. Të ndarë në pro dhe kundër dekanit të fakultetit, pedagogët nxjerrin të gjitha çka ndodhur dhe ndodh në këtë institucion, ku krijohen artistët e rinj. Disa muaj më parë, në një të përditshme shqiptare, u bë publik lajmi se dekani i këtij fakulteti, Sokol Shupo, e ka përdorur më kot titullin Doktor i Shkencave, pasi ai nuk e ka një të tillë. Pak e çuditshme për një muzikolog si Shupo, autor i sa e sa librave, megjithatë paska qenë e vërtetë dhe vetë dekani, i cili ka marrë titullin “profesor”, qysh në vitin 1999 e pranon një gjë të tillë. Mësohet se gjatë viteve 2000-2001 Shupo të ketë kryer studimet për doktoraturën, pranë Universitetit të Insbrukut (kjo e dokumentuar), por nuk ka mbrojtur temën përfundimtare. Për këtë çështje është mbledhur Këshilli i Etikës pranë Akademisë së Arteve, e cila ka propozuar masën disiplinore “vërejtje me paralajmërim për shkelje të etikës në jetën universitare”. Ndonëse kjo çështje mund të quhej institucionalisht e mbyllur, dje një grup pedagogësh të këtij fakulteti, mes të cilëve Fatmir Hysi, Pëllumb Vorpsi, Arben Llozi, Pjetër Guralumi, etj., dolën në një deklaratë për shtyp, ku kërkuan që Shupo të largohej nga pozicioni i dekanit. “Rasti i zotit Shupo, vazhdon të na çudisë me qëndrimin e tij mospërfillës të normave ligjore, kur dihet që nga një mashtrim i tillë rrjedhojat negative janë evidente dhe të patolerueshme nga komunitetet universitare e shkencore. Me përvetësimin e paligjshëm të Gradës Shkencore “Doktor i Shkencave”, bëhet i papranueshëm pozicioni i tij si anëtar i Komisionit të Kualifikimit Shkencor pranë MASH, një cilësim që e ka fituar edhe mbi bazën e këtij mashtrimi, bëhet i papranueshëm pozicioni i tij si përfaqësues i Fakultetit të Muzikës, kur dihet që ky përfaqësim nuk mund të ngrihet mbi bazën e mashtrimit publik”, shprehen ata ndër të tjera në komunikatën për shtyp. Më tej ata kërkojnë “nisjen e procedurës së shkarkimit nga Komisioni i Kualifikimit Shkencor pranë MASH”. Ky komunikim u bë dje gjatë një konference për shtyp, ku ishin të pranishëm edhe studentë e pedagogë, të cilët i dolën në krahë dekanit, çka degjeneroi në ofeza personale, ku nuk mbetën pa u përmendur edhe e kaluara e njërit, apo tjetrit. Një situatë jo të denjë për një ambient pedagogjik, aq më tepër kur diskutohej për moralin dhe shkeljen e etikës. Sa i përket përdorimit të titullit, pa e pasur atë, të gjithë pedagogët, e pranojnë se ai është një gabim, megjithatë ata janë gati të vënë garant emrin e tyre, për të mbrojtur punën që është bërë në Fakultetin e Muzikës, gjatë dy viteve, që ka drejtuar Sokol Shupo. Madje, shumica e atyre që e mbrojnë, janë emra të njohur të muzikës shqiptare dhe pranojnë se nuk kanë votuar për të, në zgjedhjet për postin e dekanit.“Ne nuk jemi miq të Sokolit, ne përkrahim vetëm punë e tij. U sulmuam që të gjithë, si “antimitingashë”. Unë nuk kam nevojë as për Sokol Shupon dhe as për kënd tjetër. Sepse punën e kam bërë me shpatullat e më mjaftojnë 90 pianistë që kam përgatitur”, - thotë pianistja Nora çashku, teksa shton se grupi i pedagogëve që doli në atë konferencë kanë konflikte të pastra interesi. “E ka përdorur këtë titull dhe ka bërë gabim, ne e pranojmë këtë, por nuk mund të hedhim poshtë dy vjet punë që ai ka bërë në Fakultetin e Muzikës. Për këtë çështje është shprehur Këshilli i Etikës dhe nuk kemi të bëjmë me një shkelje juridike, por etike, për të cilën është marrë masë. Këtu është bërë një punë e madhe për reformimin e shkollës, për aplikimin e Kartës së Bolonjës, një punë e bërë në grup dhe këta pedagogë që dalin kundër Sokol Shupos, në të vërtetë dalin kundër reformës. Sokoli ka dashur të japë dorëheqjen dhe nuk e kemi lënë ne”, thotë një tjetër pedagoge, Iliriana Dema, shefe e Departamentit të Kompozicionit. Prof. Buran Spahiu, shef i Katedrës së Kantos e quan tërësisht të njëanshme dhe tendencioze konferencën e zhvilluar dje. “Ajo çka ka bërë Sokoli është një gabim, po a është gabimi i tij aq i madh sa të hedhim poshtë dy vjet të punës së tij? Nëse ata flasin në mënyrë të argumentuar për punën e tij, për reformën, etj, atëherë jemi në rregull, por kjo nuk ndodhi”, shprehet ai. Pedagogu Nestor Kraja, i cili duke huazuar shprehjen e një kolegu, që “Shupo i vuri pedagogët në rresht”, nëse mohohet puna e tij do të thotë se “kjo shkollë nuk ka pikë vlere”. Ndërsa pedagogia e Kantos Shqipe, Zani thotë se të gjithë ata që i janë vënë kundër dekanit, nuk duan ta shohin punën që ai ka bërë. “Nuk ishte konferencë shtypi, por shprehje mllefesh personale. Kërkojnë si e si të kapen me një lapsus të Sokolit, për t’i hedhur gjithë baltën e mundshme, por fatkeqësia më e madhe është që personat që flisnin kanë 20 vjet që bëjnë shkelje. Nuk kanë diplomën e specifikuar për lëndën që japin. Ky është falsifikimi më i tmerrshëm. Mes tyre ka pedagogë që kanë mbaruar për muzikologji dhe japin estetikë. Këtu janë cenuar interesa financiare. Grupe të cilët vite përpara këtë godinë e kanë konsideruar si pronë private, nuk e kanë më këtë shans. Me keqardhje e them që është krahu që nuk përfaqëson thuajse asnjë vlerë profesionale”, thotë pedagogu i violinçelit Astrit Selita. “Problemi nuk është më tek Sokoli. Atë çka është ndërtuar në këtë shkollë ne duam ta mbajmë të paktën edhe një katër vjeçar. Sepse ata duan ta kthejnë ashtu siç ishte. Të hapin kutitë postare për provime, ku të hidhen zarfe, të bëjnë qejf, të përdorin studentët dhe ambientet e shkollës për punë private, të kthehet në një han, ku nuk merret vesh asgjë se çfarë ndodh”, thotë pedagogu i flautit Elvis Rudi. Sipas tij, kjo është një kauzë, të cilën do ta fitojnë ata që kanë të drejtë. Malaj: Kemi marrë masë disiplinore për ShuponDuke u distancuar nga grupet, pro dhe kundër, Rektori i Akademisë së Arteve, Petrit Malaj, thotë se ai e ka dhënë vendimin e tij tashmë. “Jam në dijeni të gjithçkaje që ndodh në Akademinë e Arteve dhe kam gjithë informacionin e duhur për këtë çështje, që kur u publikua në shtyp. Për këtë rast kam ndërmarrë të gjitha procedurat ligjore. I jam drejtuar Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për qartësimin e dosjes së Sokol Shupos. Kam ndërtuar një procesverbal për Këshillin e Etikës, pasi neni 17 për “Ligjin e Arsimit të Lartë” ngarkon këtë këshill për zgjidhje dhe propozime, që i çohen rektorit. Këshilli i Etikës e diskutoi këtë çështje, thirri dhe z. Shupo dhe pasi diskutoi, vendosi të propozojë masën disiplinore ndaj tij. Kam shqyrtuar propozimin e Këshillit të Etikës dhe kam vendosur t’i jap z Shupo “vërejtje me paralajmërim për shkelje të etikës në jetën universitare”. Personalisht e kam gjykuar si një rast të rëndë dhe në këtë drejtim jam prononcuar dhe pranë Këshillit të Etikës. Dorëheqja për të cilën flitet aq shumë është një akt personal dhe si i tillë ka qenë dhe është atribut i z. Shupo. çka ndodh më pas në Fakultetin e Muzikës ka të bëjë me sensibilitetin e njërit, apo tjetrit, të cilat shprehen në forma të ndryshme. është e drejta e gjithsecilit të shprehë opinionin e tij mbi mbarëvajtjen e punëve. Konferenca e sotshme ka të bëjë pikërisht me këtë gjë”, shprehet Malaj. Shupo: E kam përdorur titullin, por nuk kam përfituar I gjetur në një situatë absurde, Sokol Shupo, nuk mund të bëjë gjë tjetër veçse ta pranojë se ka gabuar, por nuk mund ta lejojë që kjo të hedhë baltë mbi punën e tij. “E vërteta është që gjatë viteve 2000-2001 unë kam kryer studimet për doktoraturën. Pas mbarimit të vitit sabatik, nuk pata më mundësi të shkoj atje. Për arsye të ndryshme nuk munda të dorëzoj temën, edhe pse ajo është e përfunduar. Nuk mund të them as kur dhe as pse fillova ta përdor këtë titull, por nuk kam përfituar asgjë prej tij. Nga verifikimi që iu bë dosjes sime u vërtetua që unë nuk kam paraqitur askund ndonjë dëshmi që të pretendoj se e kam mbrojtur këtë titull. E pranoj që nuk duhej bërë. Nëse duhet të jap dorëheqjen? E kam menduar disa herë, por është një grup i madh pedagogësh që nuk më kanë lejuar. Ata që ngrenë këtë problem nuk shqetësohen për këtë titull, por sepse i janë prekur interesat. është një grup prej 4-5 pedagogësh, ndaj të cilëve janë marrë masa, pasi nuk zhvillonin mësim, ose shfrytëzonin ambientet e mësimit për aktivitete private”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›