Air France, 17.500 euro për çdo familje të viktimave
Në pritje të zbulimit të shkaqeve të vërteta të incidentit të Airbus A330 të “Air France”, është vendosur nga vetë kompania që të jepet një dëmshpërblim paraprak për familjet e 228 viktimave të fluturimit AF 447 nga Rio de Zhaneiro në Paris, i cili u rrëzua për shkaqe ende plotësisht të paqarta mbi Atlantik. Njoftimi është zyrtar dhe dhënë nga Pierre-Henri Gourgeon, drejtor i përgjithshëm i kompanisë ajrore: “Për momentin do të përpiqemi të japim një paradhënie që do të derdhet në llogaritë e të afërmve të secilës viktimë, prej 17.500 euro”, tha ai. Kjo do të thotë se dëmshpërblimi i parë për viktimat do t’i kushtojë kompanisë ajrore franceze rreth 4 milionë euro, pa përmendur shpenzime të tjera për kontrollin dhe riparimin e modeleve të tjera të “Airbus”-it. “Gjatë gjithë kohës, që pas tragjedisë së avionit të ‘Air France’ në orët e para të 1 qershorit, kam qenë në kontakt me rreth 1800 të afërm dhe familjarë të viktimave të Airbus 330 që ra në Atlantik”, tha Gourgeon. “Kjo nuk është e lehtë, sepse siç e dini pasagjerët ishin nga 32 vende të ndryshme të botës, fakt që na vështirësoi kontaktet me ta”, shtoi ai. Nga 228 viktimat e “Airbus”-it janë gjendur vetëm trupat e 50 prej tyre. Ndërkohë janë gjetur mbetje të tjera të avionit. Materiali i zbuluar është dorëzuar në Francë për ekipin e ekspertëve francezë që po drejtojnë hetimin. Edhe në ditët në vijim do të ketë kërkime të tjera për mbetje apo trupa nga avioni. Në operacion po punojnë 10 anije, një nëndetëse pa staf dhe avionë që kërkojnë nga lart për gjurmë të tjera që mund të ndihmojë në zbulimin e shkaqeve të incidentit.