Spanja s’fal Afrikën dhe thyen rekordin
Spanja e Visente del Boskes vazhdon të shkëlqejë. Iberikët kanë thyer rekordin për fitoret radhazi, pasi janë Kombëtarja e vetme që ka fituar 15 përballje radhazi. Këtë herë ata nuk kanë kursyer as Afrikën e Jugut, duke e mundur me rezultatin 2-0. Ka qenë David Vila ai që kaloi në avantazh skuadrën në minutën e 52-të. Sulmuesi spanjoll gaboi nga pika e bardhë e penalltisë, gjithsesi arriti të fusë në rrjetë topin e grushtuar nga portieri kundërshtar. Ndërkohë, goli i dytë ka ardhur në minutën e 71-të me anë të Fernando Lorentes, i cili nuk kishte më shumë se dhjetë minuta që kishte hyrë në fushën e lojës. Pavarësisht se u mundën, afrikano-jugorët kanë arritur të sigurojnë një biletë për në gjysmëfinalet e kupës së Konfederatave. Përballja tjetër, ajo midis Irakut dhe Zelandës së Re ka përfunduar në barazim pa gola, duke favorizuar kështu vendin organizator. Tashmë, rivalët e tyre në raundin tjetër do të zbulohen ditën e sotme, ku favoritë janë cilësuar Brazili dhe Egjipti, pavarësisht se Italia do ketë një sfidë direkte me skuadrën e trajnerit Karlos Dunga.