Ajaksi interesohet për talentin e portës vlonjate, Shpëtim Moçka
Ajaksi i Amsterdamit interesohet për talentin e portës vlonjate, Shpëtim Moçka. Paraqitjet e nivelit të lartë që "gardiani" 18-vjeçar ka treguar në Kategorinë Superiore tërhoqën vëmendjen e skuadrës më të madhe në Holandë, e cila njihet edhe si një prej "prodhuesve" më të mëdhenj të talenteve në futbollin botëror. Një përfaqësues i klubit do të udhëtojë drejt Shqipërisë muajin e ardhshëm, pikërisht më 6 maj, për të vëzhguar në aksion Moçkën. Portieri ka debutuar në elitën e futbollit shqiptar kur ishte vetëm 17 vjeç, më 29 shtator 2007, në ndeshjen e luajtur në "Selman Stërmasi" me Dinamon. Në mënyrë surprizë Flamurtari ka fituar 1-0 me rrjetën e shënuar nga Rustemi në të 85-ën, por meritë të padiskutueshme në këtë triumf kishte talenti më i ri i futbollit vlonjat. Paraqitjet e jashtëzakonshme kanë vazhduar edhe në javët në vijim dhe së bashku me to ka ardhur edhe ftesa për në kombëtaren U-21. Moçka ka qenë pjesë e skuadrës së Bushatit në miqësoren me Maqedoninë. Nëse përfaqësuesi i "tulipanëve" e vlerëson me nota pozitive, në verë portieri do të udhëtojë drejt Vendeve të Ulëta për të zhvilluar një provë në radhët e "harkëtarëve". Futbollisti i vetëm shqiptar që ka luajtur më parë me fanellën e klubit prestigjioz ka qenë Arben Kasolli (portier i tretë i Ajaksit), ndërkohë që në Eredivise, momentalisht luan kosovari Shkodran Metaj, që mbron ngjyrat e Groningen. Ndërkohë, në vitin 2003, tek Ajaksi është provuar dy herë pa sukses mesfushori i Partizanit, Gjergji Muzaka.