E Diel, 1 Nëntor 2026

Vllaznia-Dinamo, fillon hetimi për "marrëveshje"

Fillojnë hetimet për "marrëveshje josportive" në futbollin shqiptar. Pas ndeshjes së parë gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë mes Vllaznisë dhe Dinamos, "Hetuesia sportive" e FSHF-së do të fillojë punën për të mbledhur dëshmi pas dyshimeve për marrëveshje të mundshme mes dy skuadrave në takimin që përfundoi 4-0 në favor të skuadrës shkodrane. Dy inspektorët e miratuar nga Komiteti Ekzekutiv në dhjetorin e vitit të kaluar janë vënë në lëvizje dhe pritet që të hartojnë shumë shpejt një relacion për Komisionin e Disiplinës, gjithmonë nëse gjejnë prova që të vërtetojnë marrëveshjen mes klubeve.

Një fakt të tillë e ka konfirmuar për "Shqip" anëtari i Komiteti Ekzekutiv të FSHF-së, Gjergj Thaka, i cili ka saktësuar se inspektorët hetimorë do të punojnë në mënyrë të pavarur. "Këta dy inspektorë do të hetojnë pas dyshimeve që kanë lindur për këtë ndeshje, pasi janë caktuar për të bërë një gjë të tillë. Ata janë persona të profilit juridik, ndaj kanë dijeni të plotë mbi mënyrat se si duhen kryer hetimet në raste dyshimesh, ndaj edhe janë emëruar "inspektorë". Në raste të tilla, janë i vetmi organ që mund të hetojë në mënyrë të pavarur dyshimet që kanë lindur nga persona të veçantë apo edhe nga deklaratat në shtypin sportiv. Më pas do të paraqesin një relacion para Komisionit të Disiplinës në FSHF me përfundimet që kanë nxjerrë nga hetimet. Në varësi të përfundimeve të tyre, kjo çështje mund të trajtohet edhe në Komitetin Ekzekutiv për të marrë masat përkatëse, nëse konstatohen shkelje. Unë personalisht nuk e kam ndjekur takimin në fjalë, por jam informuar nëpërmjet shtypit sportiv rreth rezultatit të saj. Ndaj më shumë mund të flas rreth saj vetëm pas raportit të inspektorëve hetimorë", deklaroi Thaka.

Ndeshja mes Vllaznisë dhe Dinamos ka bërë që të lindin dyshime që para fillimit të saj, kur dinamovitët janë paraqitur në Shkodër me ekipin e rezervave dhe të rinjve. Pas një kartoni të kuq të shpejtë dhe një 11-metërshi që në minutat e para, ekipi shkodran nuk e ka pasur të vështirë të fitonte me rezultatin 4-0, ku të gjithë golat u shënuan në pjesën e parë të ndeshjes. Ky rezultat, e bën të sigurt kalimin në finale të Vllaznisë, por ka sjellë irritimin e të gjitha skuadrave të tjera që pretendojnë për një vend në Kupat e Evropës. Gjatë ditëve të fundit, drejtues të skuadrave të ndryshme kanë shprehur hapur pakënaqësinë ndaj sjelljes "josportive" të Dinamos, që ka sakrifikuar plotësisht Kupën e Shqipërisë, duke pritur si shpërblim një tripikësh nga pala shkodrane në ndeshjen e kampionatit. Blutë kryeqytetas kanë hedhur poshtë çdo akuzë për marrëveshje, duke deklaruar se atyre nuk u interesonte Kupa e Shqipërisë dhe se mendonin vetëm për kampionatin. Për inspektorët e "hetuesisë sportive" do të jetë e vështirë të provojnë marrëveshjen pa u luajtur edhe ndeshja mes këtyre skuadrave për Kategorinë Superiore, ku sipas "akordit" të përfolur, Dinamo duhet të marrë lehtësisht tri pikët.

Dinamo

Trajneri Daja ka aktivizuar në takimin kundër Vllaznisë vetëm futbollistë të formacionit të dytë dhe lojtarë që kishte marrë nga ekipi i të rinjve. Pas ndeshjes ai bëri të qartë se bluve nuk u interesonte aspak Kupa e Shqipërisë, pasi mendonin vetëm për titullin kampion

Fushaj u kërkoi lojtarëve të

mos shënonin në pjesën e dytë

Presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj, u ka kërkuar lojtarëve të tij të mos shënonin gola të tjerë në pjesën e dytë të ndeshjes, pasi kishin tundur plot katër herë rrjetën e portës dinamovite në 45 minutat e para. Përballë ekipit të rezervave dhe të të rinjve të Dinamos, Vllaznia e kishte shumë të thjeshtë jo vetëm të kontrollonte lojën, por edhe të shënonte, pa harruar këtu edhe epërsinë numerike pas largimit me karton të kuq të Diop, një prej lojtarëve më me eksperiencë në formacionin që Daja kishte hedhur në fushën e lojës. Pas përfundimit të pjesës së parë të takimit, presidenti i kuqebluve u ka komunikuar lojtarëve kërkesën që të ndërpritnin festivalin e golave, pavarësisht mundësisë reale për të shënuar një rezultat më të thellë. "Mos shënoni më, vetëm qarkulloni topin në pjesën e dytë", ka qenë kërkesa e tij, që është zbatuar me përpikëri nga kuqeblutë, të cilët kanë qëndruar larg portës së mbrojtur nga Hoxha gjatë 45 minutave të dyta, duke i dhënë mundësinë Dinamos të rrezikonte disa herë në portën e Grimës. Ky "spektakël" duket se ishte parashikuar edhe nga tifozeria shkodrane, e cila nuk ka qenë e shumtë në numër në shkallët e stadiumit "Loro Boriçi", ndonëse kjo ishte një ndeshje e vlefshme për gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›