Kryeministri takohet me Kreshnik Qaton
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka pritur dje në zyrën e tij boksierin Kreshnik Qato dhe promotorin Ylli Ndroqi. Qato fitoi javën e kaluar titullin botëror për peshat e mesme të federatës WBF, pasi mundi me pikë pas 12 raundesh portugezin Vitor Sa. Kryeministri Berisha e ka cilësuar këtë fitore si një ngjarje historike për vendin tonë, ndërsa ka përgëzuar boksierin durrsak për suksesin e merituar përballë kundërshtarit portugez. "Ajo që arrite ti, ishte një arritje për mbarë popullin tonë. Besove te kjo fitore dhe pas një serie suksesesh ia dole mbanë të marrësh titullin botëror", ishin fjalët që Kryeministri shqiptar i drejtoi boksierit, ndërsa mbante në dorë brezin e kampionit botëror të peshave të mesme. Berisha ka vlerësuar edhe promotorin Ylli Ndroqi, për organizimin dhe mbështetjen që i ka dhënë Qatos, duke zhvilluar një aktivitet më se të denjë. Nga ana e tij, Kreshnik Qato falënderoi Kryeministrin për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme që i është dhënë atij gjatë kësaj periudhe, ndërsa tregoi se ndjehej i lumtur për faktin se ishte boksieri i parë që i dhuronte Shqipërisë titullin "Kampion Bote".