Sporti "me këmbë të pastra". Momentalisht, vetëm një slogan
Në fillim të vitit 2008, më saktësisht më 24 janar, është hedhur edhe ideja e "sportit me këmbë të pastra". Ministria e Sportit, Shoqata e Prokurorëve të Shqipërisë dhe Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve (ZMQ) prezantuan projektligjin për fenomenin e manipulimit të rezultateve sportive. Pas një konsultimi të gjatë juridik, tre institucionet kërkuan që në Kodin Penal të përfshihej një nen që do të dënonte fenomenin, i cili nuk do të vlente vetëm për futbollin, por edhe për të gjitha disiplinat e tjera sportive si peshëngritja, boksi, basketbolli, volejbolli etj. Në atë kohë, zv/ministri Spahia, kryetari i shoqatës së prokurorëve, Shkëlqim Hajdari dhe koordinatori i ZMQ, Zguri, prezantuan dispozitën, e cila ndahej në dy paragrafë: në pjesën e parë parashikohej se paracaktimi i rezultateve në garat sportive përbën kundravajtje penale dhe dënimi fillon nga gjoba financiare deri në 2 vjet burg. Në paragrafin e dytë të këtij projektligji parashikohet se paracaktimi i rezultateve të garave sportive me qëllim përfitimin pasuror përbën krim dhe dënohet me burgim nga 2 deri në 7 vjet dhe shoqërohet nga një gjobë që fillon nga 100 mijë deri në 3 milionë lekë të reja. Megjithatë, deri më tani kjo ide ka mbetur një slogan, pasi realisht hapat konkretë mungojnë.