Ukraina dhe Gjeorgjia në NATO...Moska: Do të vendosim ushtrinë në kufi
Rusia do të ndërmarrë iniciativa ushtarake përgjatë kufirit të saj, në rast se me të vërtetë Ukraina dhe Gjeorgjia do të bëhen pjesë e NATO-s. Deklarata vjen nga shefi i shtabit të ushtrisë ruse, gjenerali Juri Balujevski, i cili është cituar nga shtypi i Moskës. Një lajm ky që shton tensionet ndërkombëtare, vetëm pak ditë pas samitit në të cilin Xhorxh Bush (që këmbëngul për anëtarësimin e dy vendeve në Aleancën e Atlantikut verior) dhe Vladimir Putin, nuk arritën të gjenin një pikë të përbashkët mbi këtë temë. "Do të ketë masa jo vetëm të karakterit ushtarak", ka thënë gjenerali, "por edhe të tipeve të tjera". Balujevski ka nënvizuar gjithsesi se Rusia është plotësisht në gjendje të mbrohet dhe të gjejë një përgjigje të denjë për problemin e zgjerimit të NATO-s deri në kufijtë e saj apo edhe për vendosjen e sistemit amerikan të mbrojtjes nga raketat në lindje të Evropës. "Forcat e mbrojtjes anti-ajrore të Rusisë, ka nënvizuar komandanti suprem i forcave ajrore, Aleksander Zielin, janë të pajisura me teknika shumë efikase, në gjendje për të individualizuar, për të zbuluar dhe për të shkatërruar si mjetet ushtarake aktuale, ashtu edhe ato që janë ende në perspektivë". E ndërkohë, edhe ministri i Jashtëm përfshihet në këtë çështje nëpërmjet zëdhënësit Mikhail Kaminin: Shfaqja në kufijtë rusë e një blloku të fuqishëm ushtarak do të interpretohej nga Moska si një kërcënim i drejtpërdrejtë për sigurinë e saj dhe ne nuk jemi të kënaqur nga deklaratat se ky proces nuk drejtohet kundër nesh". Në fillim të kësaj jave, Sergei Lavrov kishte deklaruar se Moska do të bënte gjithçka që mundej për të parandaluar anëtarësimin në NATO të dy vendeve fqinje që drejtohen nga qeveri pro-perëndimore. Ndërkaq, Mala Gigauri, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme gjeorgjiane, tha se fjalët e Balujevskit ishin një agresion i hapur kundër Gjeorgjisë. "Ndaj ne, Ukraina dhe Gjeorgjia, duam të bëhemi anëtare të NATO-s. Përpjekje të tilla të Rusisë, për të parandaluar Gjeorgjinë dhe Ukrainën që të bëhen anëtare të NATO-s, do të çonin në një reagim të drejtë të liderëve nga vendet anëtare të NATO-s". Ndërsa zyrtarët e Ukrainës nuk bënë komente në lidhje me deklaratat e ashpra të Moskës. Sipas Presidentit rus në largim, Vladimir Putin, nëse instilacionet ushtarake të NATO-s do të shfaqeshin në Ukrainë, atëherë Moska do të drejtonte raketat e saj kundër këtij vendi. Në Samitin e Bukureshtit, anëtarët e NATO-s refuzuan kërkesat e Gjeorgjisë dhe Ukrainës për pranimin në Planin e Aksionit për Anëtarësim, që do t‘i fuste ato në rrugën e anëtarësimit. Por, nën presionin e Uashingtonit u deklarua se dyert e aleancës mbeteshin të hapura për këto dy vende në një të ardhme të afërt. I pyetur në lidhje me komentet e gjeneralit rus, një zëdhënëse e NATO-s në Bruksel tha se çdo demokraci evropiane do të aplikonte për anëtarësim në aleancë. "Kjo nuk është diçka e re dhe asnjë vend apo palë e tretë nuk ka të drejtën e vetos", tha ajo.