E Diel, 1 Nëntor 2026

Lirohen marinarët e anijes së rrëmbyer nga piratët

Presidenti francez, Nikolas Sarkozi, ka bërë të ditur se piratët kanë liruar 30 anëtarët e ekuipazhit të anijes franceze "Le Ponent", e sekuestruar prej tyre më 4 prill, në afërsi të brigjeve somaleze. Nga 30 të marrët peng, 22 ishin me kombësi franceze, gjashtë filipinas dhe një ukrainas. Lirimi është bërë pa incidente, nëpërmjet negociatave dhe pa asnjë ndërhyrje të armatosur. Por, pallati i Elizeut nuk ka dhënë detaje të mëtejshme për operacionin. "Presidenti, lexohet në një deklaratë të Elizeut, shpreh mirënjohjen e tij për forcat e armatosura franceze dhe shërbimet e shtetit, që kanë bërë të mundur një zgjidhje të shpejtë dhe pa incidente të këtij sekuestrimi". Kthimi i pengjeve në Francë do të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur, ka saktësuar edhe ministri i Jashtëm francez, Bernard Kushner. Anija franceze ishte rrëmbyer nga grupi më i madh i piratëve lokalë, i quajtur "Marinsat somalezë". Banda është e mirarmatosur, e mirorganizuar dhe përgjegjëse për sulmet më të mëdha të piraterisë në rajon. Falë mjeteve të saj, kontakteve të fuqishme lokale dhe ndërmjetësve rajonalë, ajo është në gjendje të negociojë për javë apo edhe muaj të tërë me pronarët e anijeve të rrëmbyera, deri sa të sigurojë shpërblimin maksimal.

"Le Ponent", një anije pushimesh, e gjatë 88 metra, po kthehej nga ishujt Sejshel, në Oqeanin Indian, për të filluar një tjetër udhëtim, më 19 prill, nga Aleksandria e Egjiptit, në Valeta të Maltës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›