E Diel, 1 Nëntor 2026

Ajet Zyberi, komisari i ri i Tropojës

05/03/2005  Ish-drejtori i akuzuar ka marrë pafajësinë nga Gjykata

Ajet Zyberi është komisari i ri i Tropojës. Ish-drejtori i Burgut 325, që u shpall në kërkim për një nga lirimet nga burgjet, e më pas mori pafajësi nga gjykata, tashmë është në krye të policisë së Bajram Currit. Lëvizja është bërë, pasi është larguar nga detyra e shefit të komisariatit për arsye shëndetësore, Agron Hysi. Burime nga Ministria e Rendit Publik, bëjnë të ditur se dorëheqja e komisarit ka ardhur pak ditë më parë dhe me sa duket është pranuar nga eprorët e tij. Sakaq, zëvendësimi ka vijuar me firmosjen në këtë detyrë të Zyberit.

Tropoja

Është ndoshta rrethi ku "rregullohen" biografitë e drejtuesve të komisariateve, por që gjithnjë ka pasur telashe. Nuk janë të shumtë komisarët që pranojnë tërë dëshirë të udhëtojnë drejt Bajram Currit për të marrë në duar policinë dhe rendin. Ylber Duraku ka qenë një ndër drejtuesit e këtij komisariati vitin e shkuar, por u largua nga detyra dhe më pas u përjashtua nga policia për shkelje, që nga eprorët u konsideruan të pajustifikueshme.

Zyberi

Më 27 prill 2004, Ministria e Drejtësisë ka larguar nga detyra Ajet Zyberin, që drejtonte Burgun 325 në Tiranë. Në orët e vona të kësaj date, Gjykata e Tiranës ka dhënë në mungesë masën e arrestit burg pa afat për tre të pandehur, të cilët konsiderohen nga akuza përgjegjës për arratisjen e një të dënuari. Mes tyre ishte dhe emri i Ajet Zyberit, drejtor i Burgut 325. Dy të tjerët ishin Dritan Cenaj, shef i zyrës juridike në Burgun 325 dhe Ardian Kasaj, jurist i Burgut 313-të. Sipas akuzës, të pandehurit me anë të shpërdorimit të detyrës, i kanë dhënë mundësi të dënuarit Eduart Çuni të largohet nga vendi i vuajtjes së dënimit pa patur asnjë problem, madje, duke iu shmangur edhe një vepre të re penale, e cila kishte të bënte me një vrasje. Këto akuza dhe pretendime të Prokurorisë në adresë të Ajet Zyberit, janë rrëzuar nga Gjykata që e ka nxjerrë të pafajshëm. Kësisoj, Zyberi është rikthyer në një tjetër detyrë të rëndësishme në polici.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›