E Hënë, 2 Nëntor 2026

Lamaj, numrat që aktivizuan eksplozivin të papërdorur

05/03/2005  Do të seleksionohen ata që janë blerë pesë muajt e fundit dhe që u përdorën në momentin e shpërthimit

Numrat telefonikë celularë, të cilët bënë të mundur aktivizimin e eksplozivit, shpërthimi i të cilit mori jetën e biznesmenit të njohur Vajdin Lamaj dhe mikut të tij, Artan Arsi, dyshohet të mos kenë qenë përdorur më parë. Kjo, pasi atentatorët mendohet se kanë kërkuar siguri optimale që të mos dështonin. Duke qenë se numrat nuk kanë qenë në përdorim më parë dhe asnjë mik apo i afërm i atentatorëve nuk i dinte, atëherë nuk kishte se kush mund të kryente aksidentalisht thirrje telefonike dhe eksplozivi do të aktivizohej vetëm në momentin e duhur. Mendohet që numrat të jenë blerë në kompanitë celulare dhe jo në treg të zi.

Hetimi

Pas këqyrjes paraprake të provave materiale të sekuestruara në vendngjarje të hënën dhe, pasi aty nuk u gjet asnjë gjurmë e autorëve, policia dhe prokuroria filloi verifikimin për gjetjen e mundshme të numrit telefonik të celularit që aktivizoi eksplozivin dhe atij që kreu thirrjen. Kjo me qëllim identifikimin e ndonjë emri konkret që i ka përdorur natën e atentatit. Burime policore thanë dje për gazetën “Metropol” se, që në momentet e para lindën dyshimet se numrat telefonikë celularë që janë përdorur nga atentatorët, janë vënë në përdorim për herë të parë natën e ngjarjes. Këto dyshime lindën pas këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe rindërtimit të skemës së atentatit, nga ku rezultoi se gjithçka kishte qenë e mirorganizuar në mënyrë perfekte, që të mos kishte asnjë shans dështimi, sqarojnë burimet. Të njëjtat burime thonë se, për të pasur një garanci të tillë, ishte e domosdoshme edhe përdorimi i numrave celularë që nuk ishin vënë në punë më parë. Kjo, pasi dikush mund t’i binte aksidentalisht ziles dhe eksplozivi të shpërthente pa qenë në ashensor objektivi i atentatit. Burimet shprehen se, nëse numri që ishte në celularin e montuar në eksploziv, do të ishte përdorur më parë dhe disa persona do të kishin kryer thirrje me të, atëherë nuk përjashtohej mundësia që dikush prej tyre mund të bënte zile për të folur me të njohurin që e kishte disponuar. Por, nëse bëhej një thirrje e tillë, atëherë eksplozivi do të shpërthente në momentin e gabuar. Duket se ky fakt nuk u ka shpëtuar atentatorëve që dyshohet ta kenë organizuar atentatin prej kohësh dhe janë siguruar që numri i blerë nuk dihej nga shumë persona, por vetëm prej tyre, e nuk ishte përdorur që nga blerja e tij.

Verifikimi

Me lindjen e këtij konkluzioni të ri për hetimin, duket se Prokuroria e Krimeve të Rënda do ta ketë më të lehtë verifikimin e numrit që kreu thirrjen në atë të numrit në celularin e montuar në eksploziv dhe të këtij të fundit. Burimet policore pohojnë se do të verifikohen të gjithë numrat e blerë pesë muajt e fundit, të cilët nuk janë vënë në përdorim. Kjo për arsye se mendohet që numrat të jenë blerë pas dështimit të atentatit te TVA-ja në muajin tetor të vitit të kaluar deri të dielën. Mësohet se pas verifikimit të gjithë këtyre numrave që janë blerë gjatë këtyre pesë muajve dhe që nuk janë përdorur, do të bëhen përjashtime. Ndërsa do të seleksionohen të gjithë ata numra që janë përdorur të dielën dhe në momentin që ka shpërthyer eksplozivi, në orën 00.30 pas mesntaës të së hënës së kësaj jave.

Dyshimi

Numri i celularit të montuar në eksploziv blerë në një kompani

Policia dhe Prokuroria kanë ngritur dyshimet paraprake se, të paktën numri që ka qenë në celularin e montuar në eksplozivin që mori jetën e Lamajt dhe Arsit, nuk duhet të jetë blerë në treg të zi. Kjo për shkak se në treg të zi, përgjithësit numrat telefonikë celularë janë të përdorur dhe shumë njerëz mund ta dispononin dhe aksidentalisht të kryenin thirrje për të kontaktuar me të njohurit e tyre që e kishin pasur më parë. Bazuar në këtë fakt, dyshohet që ky numër të jetë blerë në një nga kompanitë celulare në vend dhe, ndoshta pa një emër konkret të pasqyruar në dokument zyrtar. Sipas Prokurorisë, ndonëse personi që mund ta ketë blerë numrin nuk ka bërë të ditur identitetin e tij pranë kompanisë celulare, është më e lehtë të gjendet se kush është ky numër dhe kur është blerë. Kjo, pasi pas verifikimit të gjithë atyre numrave që janë blerë dhe nuk janë përdorur, do të veçohen ata të cilët kanë kryer thirrje natën dhe në momentin e atentatit ndaj Lamajt.

Reagimi

Luan Bregasi: “Rritja e temperaturës së

zgjedhjeve, arsye për goditjen e biznesit”

Vrasja e dy biznesmenëve, Vajdin Lamaj dhe Vladimir Arizaj, ditët e fundit në Tiranë, ka ngritur shqetësime dhe polemika në komunitetin e biznesit e politikës. Kryetari i Dhomës së Tregtisë të Shqipërisë, Luan Bregasi, tha dje se ishte i shqetësuar nga kjo rritje e krimit ndaj biznesit. Ai theksoi se, kjo rritje e kriminalitetit mund të ndikojë negativisht në besimin e krijuar nga biznesi. “Unë nuk dua që t'i lidh këto ngjarje me zhvillimet e fundit politike, që jemi në prag të zgjedhjeve, por nuk mund të gjejmë një arsye tjetër, pasi kemi kohë që kemi qenë të qetë”, tha Bregasi. "Mesa duket rritja e temperaturës së zgjedhjeve mund të jetë një arsye për të krijuar një situatë të pakëndshme për sipërmarrjen private shqiptare", shtoi ai. Ndërkaq, edhe përfaqësues të partive opozitare, thanë se krimet e rënda të ditëve të fundit në Tiranë janë tendencë e segmenteve të caktuara për të mbjellë frikë e terror në popull, në prag të zgjedhjeve parlamentare të kësaj vere. Një qytetar humbi jetën të enjten e javës së kaluar në mjediset e një komisariati policie, ndërsa presidenti i Federatës së Boksit, Vajdin Lamaj, u vra të hënën nga një shpërthim eksplozivi. Ndërsa dy ditë më parë, një tregtar gipsi u ekzekutua në makinën e tij nga dy të rinj, të cilët u arrestuan dje. Për ngjarjen e ndodhur në ambientet e Komisariatit nr.4 të Tiranës, zëdhënësi i Ministrisë së Rendit, Florian Seriani, tha se është ndalur shefi i krimeve të këtij komisariati. Seriani pohoi se ngjarja e ndodhur në një pallat të Tiranës, ku humbën jetën dy biznesmenë, po hetohet në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Dervishi: “Së shpejti do të njoftojmë për hetimin e atentatit ndaj Lamajt”

Drejtori i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, Albert Dervishi, tha dje gjatë një konference për shtyp të mbajtur në ambientet e Komisariatit nr.3, pas arrestimit të dy të akuzuarve për vrasjen e tregtarit Vladimir Arizaj, se së shpejti do të ketë një komunikatë zyrtare lidhur me hetimin që po kryhet për atentatin ndaj biznesmenit të njohur Vajdin Lamaj. Dervishi pohoi dje se së shpejti do të ketë një informacion zyrtar për këtë ngjarje dhe hetimin që është kryer, duke pasuar njoftimin e dhënë nga Ministria e Rendit, dy ditë më parë. Zëdhënësi i Ministrisë së Rendit, Florion Seriani, tha dy ditë më parë se, “për vrasjen e Vajdin Lames janë përcaktuar pistat kryesore të hetimit, të cilat për fat të keq janë të shumta”. Më tej, Seriani shtoi se bërja publike e informacioneve për pistat e hetimit do ta dëmtonte zbardhjen e kësaj ngjarjeje, që tronditi në fillim të javës Tiranën.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›