Qëllon me pistoletë shokun, vetëm se i hedh një shikim
05/03/2005 "Pse më shikon me tangërllëk". "Të shoh se je i bukur". "Mos m'u përgjigj mua ashtu, se e di çfarë të bëj". Ky është dialogu i bërë midis të pandehurit Elvir Deliallisi dhe të dëmtuarit Erjon Alushi, në datën 5 nëntor të vitit 2004, në qendër të Vorës. Pasi kanë shkëmbyer disa fjalë me njëri-tjetrin, i pandehuri është afruar te makina e Erjon Alushit, ka hapur derën nga ana e pasagjerit, duke e kërcënuar për vrasje. I dëmtuari Alushi sapo ka parë në duart e Deliallisit një armë të tipit pistoletë, ka hapur derën e makinës për t'iu shmangur. Ndërkohë ka dërguar një krismë dhe më pas një të dytë, që e qëllon në kokë. Pasi e ka qëlluar dhe ka parë që Erjon Alushi ka rënë në tokë i mbuluar nga gjaku, i pandehuri është larguar menjëherë në drejtim të fshatit Metallaj të Durrësit. Është fshehur në shtëpinë e dajës së vet. Ndërsa është munduar të eliminojë edhe armën e krimit, duke e hedhur në një arë me jonxhë. Policia që iu vu në ndjekje arriti të kapë të pandehurin dhe më pas të gjejë edhe armën e krimit. Nga ana tjetër, vetë i dëmtuari Erjon Alushi, me plagën e hapur në kokë, ka shkuar në Spitalin Ushtarak.