Ajo mund të flasë
Edicionin e tretë të “Fokus 2008” e fiton Besart Gërguri nga Prishtina. Nuk ka ndodhur që një konkurs ndërkombëtar fotografie në Shqipëri të vlerësojë me çmim të parë një 17-vjeçar. Juria e përbërë nga Aldo Pavan (Fotograf- Itali), Albes Fusha dhe Osman Demiri (Fotograf – Kryetar i shoqatës se arteve vizive “Draudakum” Maqedoni) veçoi punën më të mirë “She can talk” të Gërgurit. Është një portret me ngjyra i një vajze të re me sy të shkruar. Herë duket i prerë si një portret fashion dhe herë si një imazh që vjen nga periferitë, një “informacion femëror” i vetëpërmbajtur – goja e mbyllur si nga një urdhër - që tenton të shprehë dëshirën shkrepëtitëse të syve.
Besarti ishte i pranishëm natën e çmimeve në teatrin “Bylis” në Fier. Ka vetëm 2 vjet që ai merret me fotografinë. Portretet dhe fashion photos janë një nga drejtimet që ka ndjekur deri tani. “Ajo mund të flasë” është një prurje që duket se ka të bëjë pak me temën e ditës që përcjellin mediat nga Kosova apo artet figurative dhe skenike në përgjithësi. Ose është një këndvështrim krejt ndryshe i një realiteti ku mungon brishtësia, guximi për të folur dhe ku heshtja është zgjedhja e duhur.
Juria ndërkombëtare e “Fokus 2008” vlerësoi me çmim të dytë artistin serb Darko Stanimirovicpër foton “Pylli i mallkuar me lule” dhe me çmim të tretë fotografen shqiptare Brilanta Kadillari për foton “Garderoba”.
“Fokus” është një aktivitet që i kushtohet fotografisë artistike, fotografëve dhe krijimit të urave të bashkëpunimit midis tyre. Organizohet nga Bashkia e Fierit, BenArt Studio dhe Shoqata “ANTIK”.
Edicioni i tretë që u hap më 2 nëntor në Galerinë e Arteve të Fierit, këtë vit u kthye në konkurs ndërkombëtar “duke dashur të përballim shkolla dhe eksperienca të ndryshme, kryesisht nga rajoni ynë dhe të provokojmë një dialog profesional mbi praninë e fotografisë në çdo hap të jetës e cila e ka bërë njeriun të pavëmendshëm ndaj magjisë që ajo shkakton”,- thotë organizatori Arben Alliaj. “Pikërisht për këtë arsye po tentohet me “Fokus” të ngrihet fotografia artistike në vendin që i takon në gjininë e arteve pamore”, -shton producenti Saimir Ahmeti.
Faza e prurjeve zgjati dy muaj, (gusht-shtator). Nga 90 pjesëmarrës, grupi përzgjedhës i përbërë nga fotografët e njohur Albes Fusha (Pedagog i fotografisë në Akademine e Arteve Tiranë) dhe Osman Demiri (Maqedoni) vendosi që të ekspozohen 68 dhe fotografitë artistike që vinin nga Shqipëria, Italia, Serbia, Maqedonia, Kosova, Belgjika, Amerika, Spanja, Kanadaja, Turqia, të konkurronin më 2 dhe 3 nëntor për çmimin e madh.
Mbrëmja e ndarjes së çmimeve, ku morën pjesë këngëtarët Evis Mula, Pirro Çako,Gjergj Leka etj., përfshiu edhe spektaklin që ofroi “DEA 08”, një konkurs bukurie ku fituese u shpall Esela Kurti nga Tirana.