Syri Magjik i Çashkut në Utreht
“Fqinjët e Lindjes” titullohet festivali danez i filmit ku paraqiten produksione kinematografike nga regjisorë të Ballkanit, dhe do të mbahet më 6-9 nëntor në Utreht të Danimarkës. Festivali që i kushtohet kinemasë dhe kulturës së vendeve të Europës Lindore dhe Juglindore, sipas drejtuesit të saj artistik Rada Sesic, tenton të prezantojë një lloj kinematografie të rajonit nga Shqipëria, Bullgaria, Bosnje Hercegovina, Kroacia, Rumania, Maqedonia, Turqia etj., që ka shfaqur tendencën e një stili modern.
Në këtë program është përfshirë dhe filmi “Syri magjik” i regjisorit shqiptar Kujtim Çashku, i cili trajton historinë e Petros (Bujar Lako), fotografi që detyrohet të braktisë Gjirokastrën për të shkuar në Tiranë, në kohën kur kishin filluar trazirat e marsit 1997 dhe dokumenton me aparatin e tij një nga periudhat më të errëta të Shqipërisë.
Një tjetër film që ka të bëjë me Shqipërinë dhe një copë historie njerëzore nga ditët e mënxyrshme të komunizmit, është dokumentari i bullgares Adela Peeva, “Divorci në stilin shqiptar” i vlerësuar me disa çmime ndërkombëtare.
Më tepër se 30 filma do të prezantohen në festivalin 4 ditor. Janë mes të tjerëve, filma të fqinjëve maqedonas si “Errësira”, filmi i fundit i regjisorit Milcho Manchevski, “A të dhemb?” i Aneta Lesnikovska-s, “Kokëposhtë” i Igor Ivanov-it, “Mirazhi” i Svetozar Ristovski-t dhe “Udhëtim” nga Aleksandar Spasovski.
Mbrëmjet dedikuar filmave ballkanas shihen si mundësi për të tërhequr vëmendjen e kësaj pjese të botës evropiane ndaj historive dhe mënyrës se si i rrëfen ato kinemaja e Evropës Juglindore.