E Shtunë, 31 Tetor 2026

Monument për dhimbjen

Kur mbylla faqen e fundit të librit “Rikthimi i dhimbjes” të Sofokli Lazrit, ndjeva për një çast se gjithçka që kisha lexuar ishte shndërruar në përfytyrimin tim në një shkreptimë drite për kohën e stuhishme të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Ndjenja zotëruese që më kishin zgjuar kujtimet partizane ishte dhimbja, e cila i rikthehej autorit pas më se gjysmë shekulli me një forcë dhe bukuri tragjike. Dhimbje kjo tronditëse, por burrërore. Dhimbje për rininë e një brezi të papërsëritshëm, që bëri aq sakrifica në emër të idealit të lirisë. Dhimbje për shoqet e shokët e rënë, që ikën për të mos u kthyer më. Dhimbje për pengjet e gabimet, që koha nuk i korigjoi dot.

Dhe të gjitha këto të evokuara e të përshkruara përmes përjetimesh të thella, me një dëndësi ngjarjesh dhe situatash, me një galeri të tërë karakteresh dhe portretesh, me një det mendimesh dhe emocionesh plot laryshi e kontraste.

Kështu Sofokli Lazri, ky militant i devotshëm i Luftës Antifashiste dhe një nga pendat e spikatura të publicistikës shqiptare, pak përpara se të largohej, për çudinë e shumëkujt, do të këndonte këngën e mjelmës. Do të shkruante kujtimetnë trajtën e një vepre krejt të veçantë, për një ngjarje dramatike të brezit të tij të luftës. Vepër e endur me indin e realitetit të gjallë psikologjik dhe historik, dhe të shprehur me magjinë e fjalës së bukur, dha kësisoj modelin nga më të rrallët të kujtimeve për Luftën Nacional-Çlirimtare, shembëlltyrën se si mund të shkruhen ato. Të shkruhen ndershmërisht e burrërisht, pa iu drojtur së vërtetës, larg skemave dhe euforisë, duke bashkuar në një simbiozë të admirueshme botën e njeriut me historinë.

Në qendër të kujtimeve të tij, Sofokli Lazri vuri fatin tragjik të dashurisë së një çifti partizan, që ka mbetur e paharruar në kujtesën e asaj kohe të stuhishme. Një kohë e ngarkuar me heroizma e sakrifica të pashembullta, po jo dhe pa drama. Madje dhe me tragjedi. Një nga këto tragjedi, merr përsipër të na tregojë autori, dashurinë e dhimbshme e fatkeqe të Ramize Gjebresë dhe Zaho Kokës, që zhvillohet në skenën e përgjakshme të luftës. Pra, për një Romeo e Zhuljetë shqiptare, për një tragjedi partizane, ku dashuria gjente shtigje e shpërthente në jetën e luftëtarëve të lirisë në mes heroizmit dhe vetmohimit të tyre. Duke u ngritur mbi fanatizmin politik dhe normat e ngurta të kohës, Sofokli Lazri, dashurinë tragjike të dy partizanëve do ta shohë dhe trajtojë si një dukuri humane, si një nga aktet e para të emancipimit të shoqërisë së ardhshme shqiptare. Ai jep të kuptojë se emancipimi i mëvonshëm do të bulëzonte, me rrënjë në gjakun dhe sakrificat e rinisë partizane. Por në kulmin e luftës për liri do të zhvillohej dhe një luftë tjetër. Ndeshja brenda radhëve në mendjen dhe zemrat e luftëtarëve. Një ndeshje e fshehtë, cfilitëse, mizore e në të njëjtën kohë sa njerëzore, aq dhe fisnike. Lufta në mes botës së vjetër e botës së re, në mes moralit të vjetër e moralit të ri, ndërmjet konservatorizmit e patriarkalizmit dhe lirisë e emancipimit shqiptar. Të gjitha këto autori i sheh dhe i përgjithëson në jetën dhe dashurinë e Ramizesë dhe Zahos.

Dhe këtë e bën jo me trillet e shkrimtarit, por përmes rrëfimit të tij si dëshmitar dhe aktor i ngjarjeve, të dhëna me një vokacion dhe optikë origjinale. Me mendje të kthjellët e zemër të madhe, me ndjeshmëri të lartë e vështrim të gjerë, me talentin e një rrëfimtari bindës e të përkorë, me një gjuhë të rrjedhshme e plot ngjyrime emocionale, ai arrin në përfundim të veprës, ta shndrrojë historinë e çiftit partizan në një monument dokumentar, ndoshta i vetmi për nga niveli në gjithë memuaristikën e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare të popullit tonë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›