E Diel, 1 Nëntor 2026

Obama, dita e parë, emërimi i parë, Rahm Emanuel, ish-këshilltar i Bill Klinton, shef kabineti

Presidenti i sapozgjedhur amerikan, Barack Obama, ka filluar punën për krijimin e administratës së tij të re. Ai i ka kërkuar kongresistit të Illinois-it, Rahm Emanuel, që të jetë shefi i kabinetit.

Zoti Emanuel ka qenë këshilltar i presidentit Klinton.

Emërimi i radhës pritet të jetë ai i Sekretarit të Thesarit, një post shumë i rëndësishëm në strategjinë për daljen nga kriza ekonomike. Gjatë kësaj jave zoti Obama do të informohet gjerësisht për çështjet e politikës së jashtme.

Ka spekulime se zoti Obama do t'i kërkojë Sekretarit të Mbrojtjes, Robert Gates, që të qëndrojë në këtë post.

Presidenti i sapozgjedhur amerikan duhet të bëjë emërimet kryesore në administratën e tij deri në datën 20 janar kur e merr zyrtarisht postin.

Për këtë është krijuar një komision për tranzicionin, për t'iu mundësuar zyrtarëve të sigurisë dhe ekonomisë të administratës së Bushit që të takohen me homologët e tyre në ekipin e Obamës.

Qindra poste duhen mbushur në një periudhë prej 10 javësh.

Presidenti Bush ka premtuar se do ta informojë presidentin e sapozgjedhur Obama në hollësi për çdo vendim të rëndësishëm që do të marrë.

Zoti Obama dhe këshilltarët e tij kryesorë kanë marrë informacione të detajuara për çështjet e sigurisë kombëtare.

Por duke filluar nga dita e enjte ai do të marrë raportet e përditshme që presidenti merr nga CIA.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›