Violina e Lindita Hoxhës në Katedralen e Casales
Për atë që ka përgatitur një udhëtim disaditor për në Itali, ndofta në komunën e Kazalës, do bënte mirë sikur të planifikonte në axhendën e tij edhe koncertin klasik kushtuar “Dimrit” të Vivaldit, nga Orkestra Femërore Italiane, formuar nga muzikantë nga e gjithë bota. Ansambli sjell në skenën e Katedrales Casale Monferrato edhe solisten shqiptare Lindita Hoxha, violinistja e cila me talentin e saj ka rrëmbyer zemrën e publikut në një performancë të kohëve të fundit.
“Të dëgjosh këtë artiste, e cila që në moshën 16-vjeçare ka luajtur pjesët koncertore për violinë dhe orkestër të kompozitorit italian Niccolo Paganini, është me të vërtetë mbresëlënëse”,- thuhet në shtypin vendas. Instikt i formuar muzikor, potencë tingulli, bukuri, delikatesë dhe teknikë e veçantë, janë karakteristika me të cilat e përshkruajnë interpretimin e Hoxhës kritikët në të përditshmen italiane “Gazzetta del Mezzogiorno”. Një tjetër motiv i mirë për të mos munguar në Katedrale është dhe përzgjedhja e partiturave nga drejtuesi i orkestrës Roberto Giuffrè, i cili performancën e të premtes në mbremje e ka titulluar “Koha dhe toka”.
Koncerti që merr shkas nga pjesët më të njohura të Antonio Vivaldit, sjell pjesë orkestrale të kompozitorëve Edward Elgar Sentendo, Felix Mendelssohn Bartholdy, Antonio Brioschi dhe “Dimrin” e kompozitorit venecian.
Lindita Hoxha e lindur më 16 shkurt 1970, aktualisht jeton në Borgomanero, Itali. Mësimet e para në violinë i ka marrë në moshën 5-vjeçare, në Liceun artistik (“Jordan Misja”) në Tiranë, nën drejtimin e mjeshtrit të muzikës Robert Papavrami, i cili aktualisht është drejtor i qëndrës “Pierre Rode”, në Francë. E diplomuar në Akademinë e Arteve në kryeqytet, ka qënë për disa vjet “spalla” e orkestrës rinore të këtij konservatori. Në vitin 1992 fiton çmimin ndërkombëtar të violinës “Citta di Andria” dhe detyrohet të largohet nga Shqipëria, pasi fitoi bursën për të studiuar pranë Akademisë së Lartë të Saluzzos. Diplomohet si soliste nën kujdesin e mjeshtrit Veselin Parakevov dhe hyn në Filarmonikën e Torinos. Pas vitit 2000, Hoxha ka interpretuar në koncerte të rëndësishme si soliste nëpër Europë, dhe ka fituar disa çmime në konkurse të ndryshme.