E Diel, 1 Nëntor 2026

Me dy premiera shtyhet dimri

Regjisori Spiro Duni paraqet sot “Fërshëllima në errësirë” i dramaturgut irlandez Tom Murphy. Kthehet në skenë Reshat Arbana. Albert Minga përgatitet për “Filomena Manturana” të de Filippo-s. Nuk i ndahet viteve 50

Me pak vepra që duhet të përmbushin numrin e detyruar të shfaqjeve dhe dy premiera, Teatri Kombëtar shtyn sezonin dimëror nga tetori në mars. Pak po ta mendosh që këtë vit do të jetë ngrohtë tek ajo dopolavoro e italianëve që doli kockëfortë. Në teatër ka filluar ndërkaq puna për instalimin e sistemit të ngrohjes dhe ftohjes për të dy sallat. Drejtori Kristaq Skrami konfirmoi dje vendimin e bordit për dy veprat, premiera absolute.

“Fërshëllimë në errësirë” e Tom Murphy paraqitet sot nga regjisori Spiro Duni. Vepra më e rëndësishme (1961) e dramaturgut irlandez do të ketë për protagonist Reshat Arbanën që përveçse tek “Streha e të harruarve” e R. Pulahës, ka më shumë se një dekadë që nuk ka pasur një angazhim serioz në teatër. Është rasti me një autor që rreh tek temat e dhunës, nihilizmit, po edhe tek humori dhe dashuria. Përkrah Arbanës janë aktorët Bujar Asqeriu, Naum Shundi, Anila Bisha, Dritan Boriçi etj.

Premiera mendohet të jetë më 28 nëntor.

Bordi i përbërë nga Kristaq Skrami, Agim Zajmi, Adriatik Kallulli, Petrit Malaj, Altin Basha dhe Genci Sharku, ka dhënë pëlqimin edhe për projektin e Albert Mingës për një vepër të aktorit dhe komedianit, nobelistit italian Eduardo De Filippo. Minga, i cili deri në momentin që nuk kishte provuar ndonjëherë sukses si i “Pamjes nga ura” i A. Millerit, po ka një oreks për teatër. Është e dyta mundësi për regjisorin televiziv, brenda një viti, që të punojë në Teatrin Kombëtar me veprën “Filomena Marturano”. Nga figura absolute e një burri si Edi Karbone, tek absolutja e një gruaje si Filomena, por Minga mbetet pak a shumë tek e njëjta epokë, e viteve 50-60. Regjisori është në kërkim të aktorëve, kurse drejtori Skrami thotë se premiera mendohet aty nga janari 2009.

Përse Teatri Kombëtar shpall tani një punë që duhej ta kishte bërë që në ditët e para të shtatorit?

Fajin e kanë gjithnjë të tjerët, në këtë rast ministria. Kësaj pyetje Skrami i përgjigjet me justifikimin se ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango, e miratoi bordin e TK vetëm dy javë para. Pa bord nuk punohet.

E deri në ditën e Flamurit, kur të jepet premiera e Murphy-t, vijojnë “Allegretto Albania” e Stefan Çapalikut, “Franku V” i Durrenmatit dhe (shyqyr) ndonjë fondacion apo shoqatë që sjell ndonjëherë diçka. Mbulohu këtu, zbulohu atje, mbush diku e zbraz në teatër, derisa të ikë dhe dymijëeteta.

E reja që vjen nga “shkaku madhor” i punëve në Teatër, bordi, janë formularët e rinj të aplikimit. Skrami thotë se këtej e tutje ata që duan të konkurrojnë për të sjellë një vepër në skenën e Teatrit Kombëtar duhet të mbushin një fletë ku të tregojnë: kush janë; përshkrimin e veprës; idetë për skenografinë; platformën regjisoriale; aktorët dhe një farë preventivi.

Po deri tani si ka funksionuar?

Kësaj pyetjeje drejtori Skrami iu përgjigj që regjisorët, ndonjëherë edhe vetë autorët dramaturgë, janë paraqitur thjesht me tekstin e veprës. Pra bordi dhe kryetari i tij, drejtori i TK, është mjaftuar me një lexim të lirë të veprave. Është kjo arsyeja e atij niveli shumë të diskutueshëm në vitet e fundit që jep skena e vetme teatrore e këtyre përmasave në Shqipëri? Naive ta besosh këtë dhe “politikën e re” që besohet se vjen nga fletushkat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›