I nxehti sjell viktimat e para, tre të vdekur në Durrës dhe Mat
Artan CENA
TIRANË - Temperaturat e larta që kanë përfshirë të gjithë vendin kanë sjellë dhe viktimat e para. Dy vëllezër kanë humbur jetën mesditën e djeshme në Mat. Gjithashtu, edhe një turist nga Kosova ka ndërruar jetë në Durrës, sapo kishte ardhur për pushime. Ngjarjet e rënda janë konfirmuar nga burimet zyrtare të policive lokale. Ngjarja e parë ka ndodhur në Durrës, ku Safet Morina ka ndërruar jetë sapo kishte ardhur nga Kosova. Ai vuante nga zemra. Dhe pse është dërguar me urgjencë në spital, ai nuk ka mundur që të shpëtojë. Por ngjarja më e rëndë ka ndodhur në Mat ditën e djeshme. Dy vëllezër kanë humbur jetën kur kanë qenë duke u larë në një rezervuar për t’i shpëtuar vapës që ka përfshirë Shqipërinë. Kanë qenë burime zyrtare të uniformave që kanë konfirmuar dy ngjarjet e rënda.
Mbytja në Mat
Po laheshin së bashku me shokët për t'u freskuar, por kanë humbur jetën në ujin e rezervuarit. Dy vëllezërit, Ervin dhe Enkel Xhetani, 23 dhe 25 vjeç, janë mbytur rreth orës 17:30 të ditës së djeshme në një rezervuar. Ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Derjan të Matit, teksa të rinjtë po laheshin bashkë me një grup shokësh. Të parët që kanë dhënë sinjalin për mbytjen e dy të rinjve kanë qenë shokët që ndodheshin me ta. Ata janë munduar që t’u japin ndihmë dy vëllezërve, por gjithçka ka qenë e kotë, pasi ata kishin ndërruar jetë. Me anë të një telefonate është njoftuar dhe policia.
Uniformat blu kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje. Sipas të dhënave të para duket se njëri prej vëllezërve ka qenë duke u mbytur dhe ka thirrur në ndihmë tjetrin. Dhe ai ka shkuar në ndihmë, por fatkeqësisht nuk ka mundur t’i japë ndihmën e duhur të vëllait. Gjatë tentativave për të shpëtuar atë kanë gjetur vdekjen të dy vëllezërit Xhetani. Mësohet se kanë qenë shokët ata që i kanë nxjerrë trupat e pajetë të dy të rinjve nga rezervuari, ndërkohë që pritet të hetohet për shkaqet e mbytjes së tyre.
Vdekja në Durrës
Një pushues kosovar ka ndërruar jetë sapo ka mbërritur në plazh. Burime zyrtare nga Policia e Durrësit thanë se tri ditë më parë ka ndërruar jetë Safet Morina, qytetar nga Kosova, i cili kishte ardhur me pushime në Shqipëri. Burime zyrtare nga Policia e Durrësit thanë se rreth orës 10:55 të dy ditëve më parë, Spitali i qytetit të Durrësit ka njoftuar se është dërguar i pajetë shtetasi kosovar Safet Morina, 61 vjeç, banues në qytetin e Pejës, Kosovë. Nga hetimet e para të kryera nga uniformat blu është mësuar se si shkak i mundshëm i vdekjes së 61-vjeçarit është infarkti kardiak, pasi ai vuante nga sëmundje të zemrës. Goditja e tij nga infarkti dyshohet se ka ardhur si rrjedhojë e rrugës së gjatë dhe lodhjes. Siç mësohet, ai ka ndërruar jetë sapo ka mbërritur në Plazhin e Durrësit. Burime zyrtare nga Policia e Durrësit thanë se është duke vazhduar puna për saktësimin e shkakut të vdekjes së 61-vjeçarit nga Kosova. Dosja me materialet procedurale për këtë ngjarje i kanë kaluar për hetime të tjera Prokurorisë së Rrethit Durrës.
Box
Parashikimi i temperaturave
Ditët e nxehta do të jenë prezente dhe këtë javë. Sinoptikanët parashikojnë një mot të qëndrueshëm dhe me temperatura të larta, veçanërisht për zonën e ulët, ku termometri pritet të shënojë 36 gradë celsius në hije në disa qytete. Në diell i nxehti do të ndihet plot 40 gradë. Moti tepër i nxehtë pritet të kalojë, meteorologët shprehen se deri në fund të muajit do të jemi pothuajse në të njëjtat kushte atmosferike, të cilat janë karakteristike të qershorit.
Box
Hapja e tunelit rriti numrin e turistëve
I hapur vetëm para pak kohësh, tuneli jugor i Kalimashit, pjesë e autostradës Durrës – Kukës, vazhdon të presë me mijëra qytetarë e turistë, të cilët vizitojnë vendin tonë. Një pjesë e pandashme tashmë me turizmin, autostrada Durrës–Kukës përshkohet nga rreth 1200 automjete në ditë, shifër e cila i ka kaluar parashikimet. Edhe pse pjesa më e madhe janë qytetarë kosovarë, nuk mungojnë dhe itineraret për arsye të ndryshme biznesi. Për fqinjët kosovarë autostrada mbetet mrekullia, e cila u kthye në realitet jo vetëm për ta, por për të gjithë shqiptarët. Rikthimi i qarkullimit në rrugën Durrës-Kukës nëpërmjet tunelit, vjen pas një ndërprerjeje prej 7 muajsh. Të dyja tunelet janë të gjatë secili nga 5.6 kilometra, të gjerë 13 metra dhe 10 metra të lartë. Të katërta korsitë e rrugës, nga Rrësheni në Kalimash, kanë përfunduar tërësisht. Ndërsa edhe pak kohë na ndajnë nga hapja e tunelit tjetër në muajin shtator.
Arrestohen për disa vjedhje pesë të rinj
TIRANË - Pesë persona janë ndaluar nga Policia e kryeqytetit pasi akuzohen për vjedhje. Burime zyrtare thanë se nga efektivët e Komisariatit Nr. 2 është arrestuar në flagrancë Bledi Panajoti, 25 vjeç, banues në Tiranë, pasi dy ditë më parë, rreth orës 20:30, në rrugën “Komuna e Parisit”, pranë lulishtes “1 Maji”, dyshohet se ka vjedhur me dhunë çantën e një shtetaseje. I dyshuari u kap menjëherë në flagrancë nga shërbimet e policisë. Në të njëjtën ditë, disa orë më parë, nga uniformat blu të Komisariatit Nr. 3 është bërë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i Marsel Hadës, 26 vjeç, banues në Këlcyrë, Përmet. Arrestimi i tij është bërë sepse rreth orës 07:30, në rrugën “Çamëria”, i ka vjedhur varësen e floririt një qytetareje, send që u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Gjatë orëve të vona të dy ditëve më parë, Komisariati i Policisë Nr. 4 ka vënë në pranga në flagrancë adoleshentët me inicialet, E. B., 15 vjeç dhe B. Y., 15 vjeç. Ata janë ndaluar pasi dy ditë më parë, në rrugën “Halit Bega”, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë tentuar të vjedhin banesën në pronësi të një qytetari. Po dy ditë më parë, nga efektivët e Komisariatit Nr. 5 është u ndaluar shtetasi në kërkim F. M., 17 vjeç, banues në Tiranë, sepse Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, më datë 13 maj 2010, ka urdhëruar ndalimin për veprën penale të “vjedhjes”.
Përplasen makinat në Elbasan, tre të plagosur
ELBASAN - Një aksident në seri ka përfshirë dy ditë më parë rreth mesnatës në qytetin e Elbasanit. Siç bëhet e ditur, 3 automjete që udhëtonin në aksin rrugor Elbasan-Metalurgji, në urën e Zaranikës, janë përplasur me njëri-tjetrin. Për pasojë, mbetën të plagosur tre qytetarë, njëri prej të cilëve ndodhet në gjendje të rëndë për jetën në Spitalin e Elbasanit. Policia tha se automjeti tip “Golf” me targë El 2026 B, që drejtohej nga Erion Madhi, 26 vjeç, me banim në Katund të Ri u përplas fillimisht me automjetin tip “Benz” me targë BM432ME i drejtuar nga një 22-vjeçar me banim në Kavajë dhe më pas me automjetin tip “Benz” po me targa te huaja, i drejtuar nga një 36-vjeçar me banim në lagjen "5 Maji" në Elbasan. Si pasojë e kësaj përplasjeje mbeti i plagosur rëndë drejtuesi i golfit, Erion Madhi. Ende nuk janë përcaktuar saktë rrethanat e këtij aksidenti.
16 Qershor 2010