Ajo që shihet pas Brigelit
Hiq ato vite të “mbretërimit” të Brigelit si trajner i Kombëtares, koha që vjen pas tij ka qenë më e keqja e kaluar prej futbollit tonë. Të mendosh se gjithë këto vite të fillimshekullit të ri janë përshkuar nga “invazioni” i të huajve në drejtim të ekipit tonë përfaqësues, prej të cilëve pretendohej se duhej të sillnin një erë të re në mënyrën e të luajturit, për t’i dhënë kështu një lloj argëtimi e kënaqësie spektatorëve, të çoroditur gjithsesi nga ndonjë barazim a fitore e rrallë, kjo megjithatë nuk është bërë e mundur. Logjika e fakteve dhe e veprimeve të deritanishme tregon se dekada që lamë pas dhe kjo që sapo ka nisur tashmë nuk e kanë futur në rrjedhë normale futbollin tonë, përkundrazi, po e çojnë atë gjithnjë e më tepër në një rrugë pa krye. Me gjermanin Brigel nisi starti i vërtetë i trajnerëve të huaj në drejtim të Kombëtares sonë që në fakt kishte provuar të tillë edhe më parë, tepër larg në kohë dhe në raste të veçanta, atëherë kur futbolli sapo hidhte hapat e parë dhe kishte nevojë për t’u vënë në binarë. Por, siç shihet, spontaniteti i atëhershëm tashmë është kthyer në një modë pa vlerë. Shikoni fundin e tabelave ku renditet skuadra jonë përfaqësuese në gjithë këtë periudhë të drejtimit të saj nga trajnerët e huaj, nëpër grupet eliminatore të evropianëve dhe botërorëve, për të kuptuar domethënien e vërtetë të kësaj gjendjeje të pa shpresë ku ndodhemi. Kur përmenda “erën” Brigel që solli diçka tjetër, pak ndryshe nga ajo që kishim parë dhe nga kjo që po shohim pas tij, kisha parasysh që loja dhe rezultatet e arritura me të kishin edhe një arsye tjetër të fortë për të shkuar deri në atë nivel, saqë të fitonim ndaj ekipeve të tillë me emër në botë si Rusia apo Greqia, ndërkohë që psikologjinë e lojës sulmuese trajneri gjerman e pat ngjizur fort në skuadër. Ishte pikërisht kualiteti i lojtarëve cilësorë dhe plot përvojë që trajneri gjerman gjeti kur mbërriti në Shqipëri dhe që mundi t’i harmonizojë në veprime, sipas stilit të tij të pasuruar në karrierën e gjatë dhe të suksesshme si futbollist. Të gjithë ata ishin lojtare të spikatur dhe të rritur në fidanishten “made in Albania”, që kishin dhënë prova se edhe me trajnerë vendas mund të fitohej ndaj të mëdhenjve. Nuk po shkoj larg, deri tek Loro Boriçi, me ato përballjet e famshme për ne, kur ndesheshim ndaj shkollës së madhe e të njohur gjermane të Bekenbauerit, Gerd Mylerit apo Rumeniges; as tek Shyqyri Rreli që fitonte atëherë ndaj Belgjikës dhe sfidonte Poloninë në fushën e saj, por të kujtojmë vetëm vitet e vështira 90-të të trainerëve tanë, Bejkush Birçe, Neptun Bajko, Astrit Hafizi e Medin Zhega, të cilët gjithashtu modestisht patën arritur ndonjë fitore ose barazim nga ato që gjatë kësaj “epoke” trajnerësh të huaj, gabimisht po i trumbetojmë si të bujshme!
Problemi i trajnerëve të huaj ka kohë që është bërë i tillë dhe jo vetëm tek ne. Por, ndërsa diku tjetër vendosja e tyre në krye të ekipit përfaqësues ka sjellë rezultat, kjo nuk do të thotë se domosdoshmërisht kjo gjë duhet të ngjasë edhe tek ne. Aq më tepër kur kushtet tona mjerane deri tani, përsa i përket infrastrukturës,( asaj ndërtimore-pa fusha stërvitore dhe me stadiume të niveleve primitive e sidomos mënyrës së drejtimit, ku “1-shi” vendos për gjithshka, madje edhe për zgjedhjen e trajnerit të Kombëtares!?), nuk japin asnjë shans për të shkuar atje ku janë të tjerët, qofshin këta edhe fqinjët tanë përreth, ndonjë edhe më i vogël se ne, si sipërfaqe e popullsi. Dhe ndodh ajo që po shohim prej kohësh, ku trajnerët e huaj vejnë e vijnë pa lënë asnjë shenjë në këtë vendin tonë të varfër, që nuk bën gjë tjetër veçse ua mbush atyre valixhet plot me euro dhe dollarë!? Për të mos e paragjykuar trajnerin e ri, Di Biazi, por të gjithë e kuptojnë se vendimi i tejzgjatur për vendosjen e tij në krye të skuadrës sonë përfaqësuese, aq sa ajo i zhvilloi edhe dy ndeshje ndërkombëtare pa pasur personin e duhur në drejtim, nuk ka lënë asnjë shije të mirë, sidomos kur sheh që ai, ndryshe nga paraardhësit, nuk ka ndonjë përvojë apo rezultat që ta bënte atë një gjah kaq të kërkuar! Pas Dossenës që parapriu me vetëm ato tri ndeshje të zhvilluara, kur më parë pat ikur se sa erdhi(!?), ajo që shihet pas Brigelit është një “deja vu” e sikletshme trajnerësh të huaj, ku Bariç qe larguar pas një “dorëheqjeje”, që sipas tij kishte të bënte me shitje ndeshjesh prej futbollistëve; Ari Han i përgojuar mos më keq mes palësh, dhe së fundi Kuzhe, edhe më zi’, për atë që po flitet tani për te, si trukues rezultatesh. Tani le të presim se çfarë historie do t’na shkruaj ky tjetri, i huaji i radhës...
(Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)