E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sloganizmi i rremë!

Në një revistë të botuar para Luftës së Dytë Botërore, piktori i famshëm francez, Gustav Dore, kishte bërë një pikturë kuptimplote me nëntitull: “Bolsheviku, ku pasioni dhe instikti predominojnë mbi logjikën” dhe lart kishte vendosur figurën e Leninit. Në fakt, Lenini ishte prototip i fjalimeve pasionante me poza të zhdërvjellëta, që me tone të larta bënte për vete masat popullore ruse të paorientuara mirë për vete. Ky është një nga aspektet më të vlefshme dhe më të gjindshme edhe pas gati një shekulli në sloganizmin shqiptar. Duhet theksuar këtu që bolshevizmi i sloganeve në Shqipëri nuk përcaktohet thjesht nga të bërtiturat nëpër fjalime bombastike, por edhe nga mungesa e argumentit për të nxjerrë në pah arsyet pro dhe kundra. Liderët politikë shqiptarë, por jo vetëm, madje edhe ata që zotërojnë ose kanë prirje për të udhëhequr ndërmarrje, biznese etj. realizojnë “poza artistike” dhe janë të rrjedhshëm në fjalimet e veta. Kalon shumë pak kohë dhe pozimi pompoz i sloganizmit të tyre mashtrues sfumohet papritur dhe nxjerr mbi sipërfaqe thelbin e “ajsbergut”.
“Për të harruar një jetë duhet të paktën edhe një jetë tjetër”, - thotë Josif Brodskij. Por kjo nuk do të thotë se për të harruar vite të tëra totalitarizëm, do të na duhen po kaq vite kërkim për të jetuar lirinë dhe të vërtetën, duke u përballur me sloganizmin e rremë. Në Shqipëri hapësira e këtyre dy elementëve thelbësorë të demokracisë vazhdon të dalë e deformuar dhe e kufizuar, pikërisht ngaqë sloganistët kanë “privatizuar” çdo pëllëmbë mundësish, duke ua shpërndarë të mirat tarafit të tyre ose “dishepujve” që i ndjekin, pavarësisht formimit, karakterit dhe vlerave të tjera të pranueshme. Manipulimi përmes sloganeve tek një publik ende i pamaturuar për të gjykuar të vërtetën nga e pavërteta, ka sjellë gjysmë të vërtetat, duke kujtuar këtu edhe thënien e poetit të madh Xhevahir Spahiu: “të vërtetën përgjysmë mos e ndaj/ gjysma tjetër komploton kundër saj”.
Sloganizmi i rremë është kthyer në biznes. Duke qenë mision publik, ky sloganizëm kritikon politikën e mëparshme të abuzimeve, korrupsionin dhe informalitetin, duke hipnotizuar konkretisht publikun shqiptar dhe duke e gënjyer dikur me bukën e gojës, ndërsa sot edhe më thes miell si qëmoti. Ky është biznesi më i shëmtuar, të cilit i bën “fresk” edhe media, duke i lënë hapësirë, kohë dhe gjithçka tjetër sloganistëve, të cilët në mënyrën më hipokrite kanë monopolizuar edhe fjalën, dinamikën kryesore të mendimit dhe zhvillimit shoqëror. Kjo është edhe arsyeja kryesore pse ata që e meritojnë të flasin vetizolohen, sepse sloganizmi i rremë ka krijuar mungesën e një kulture të bashkëpunimit me profesionistët të talentuarit dhe njerëzit e aftë.
Fenomeni në fjalë shkon deri në shpërfilljen ndaj burimit kryesor që i ka dhënë jetë, i cili sipas tij s’shpreh dot gjë tjetër veç inferioritetit. Edhe kur ka ngritje kryesh të befta, përgjigjja në raste të tilla dihet: “U bone ti!” Por jo vetëm me të jashtmit, edhe dialogu i brendshëm nuk ekziston; sepse çdo formë shkëmbimi konsiderohet harakiri. Edhe më irrituese është gatishmëria e disa intelektualëve për t’i shërbyer këtij sloganizmi të rremë, duke u turrur pas fitimit të përkohshëm, edhe pse është i pasigurt dhe i përkohshëm. Sloganizmi i rremë nuk e ndien nevojën për diferencime, sepse në thelb është i vetëdiferencuar, është gjithmonë unik, i sistemuar, i rregulluar, goditës, sulmues, përhapës me synimin për të përfshirë gjithçka, sepse ligjërimi i tij e shpall të vërtetën si atribut dhe peng të vetvetes. Heroizmi i vetvetes, mungesa e vetëdijes së gabueshmërisë njerëzore, kompleksi i të qenit kompetent për gjithçka sipas pseudoparimit: “të gjithë gabojnë, vetëm unë nuk gaboj”, e kanë bërë sloganizmin e rremë kult. Tek ai rëndon korrupsioni marramendës dhe instrumentalizimi personal. Si mundet sloganisti të ketë vizion për të tjerët kur nuk ka vizion për veten? Shqipëria nuk mundet dhe nuk ka pse të jetë peng i tij. Asnjë shkak nuk është i shkëputur nga pasojat.
Është krijuar në thelb një diktaturë verbale që ka krijuar një krisje në besimin e publikut, ka hapur humnera. Kjo është e trishtueshme. Sidomos kur dogmatizohet si statukuo, kur bishtnohet ndryshimi i domosdoshëm dhe jetik progresiv. Ata që predikojnë ndryshimin kanë frikë prej tij. Këtu duhet të koncentrohet optika e analistëve të vërtetë dhe të paanshëm të politikës, duke braktisur klientelizmin e neveritshëm dhe të kotë ndaj sloganeve. Këtu nis vizioni për të gjithë pa përjashtim, por sidomos për mendjendriturit. Kështu rritet përgjegjësia qytetare dhe kuptimshmëria qytetare. Kjo është rruga për të fituar të gjithë, për të sfiduar mitin dekurajues dhe fatalist të sloganeve bolshevike.

(Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›