“Ajola Xoxa blen vilë 200 mijë euro në Mullet”
Altin Goxhaj, ngre padi penal ndaj PS-së, për “Kallëzim të Rremë” - kërkon 99 milionë lekë dëmshpërblim
Më e pakta që dihet pas gjithçkaje të fshehur, do të thotë shumë. Erjon Veliaj është maskuar më kot nëpër intervista lëpirëse televizive dhe nëpër gazeta se është varfanjak dhe se dikur me zor siguronte financat e ditës. Por, e vërteta është krejt ndryshe nga kjo e thënë e largët dhe e harruar tashmë nga mediat që gjasme luajnë rolin e investigatorit. E gjithë kjo vjen pas një akt padie të deputetit socialist Taulant Balla, ndaj avokatit të njohur Altin Goxhaj, për gjoja konflikt interesi, ndërsa Goxhaj kundërpërgjigjet duke e quajtur të pasaktë akt padinë e Ballës, duke arsyetuar se pas tij, fshihen Endri Fuga dhe Erjon Veliaj. Dje, avokati Altin Goxhaj paraqiti provat noteriale që rrëzojnë Kallëzimin Penal të Taulant Ballës në emër të Partisë Socialiste ndaj Goxhaj 4 ditë më parë.
Avokati Goxhaj paraqiti dokumentin origjinal të noterizuar në dt.14 Tetor 2010 ku deklarohej dorëheqja e tij nga anëtar i Këshillit Rinor Shqiptar në prani të 29 personave me vulë të Noterit dhe e regjistruar në regjistrin noterial të Dhomës së Noterëve. Ky dokument rrëzon pretendimin e paraqitur nga Deputeti Socialist Taulant Balla 3 ditë më parë që pretendonte se Goxhaj duke qenë anëtar i Këshillit Rinor Shqiptar kishte miratuar fonde për këtë organizatë në Bordin e Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile në konflikt interesi. Gjithashtu Goxhaj deklaroi se që në vitin 2009, në Tetor, ai ka dhënë dorëheqje nga Lëvizja “Zgjohu” dhe që në atë kohë këtë lëvizje e drejton Zirkon Disha. Deputeti Socialist Taulant Balla ishte personi që 3 ditë më parë shpiku një lidhje midis financimeve të Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile dhe Lëvizjes Zgjohu duke sajuar për këtë qëllim lidhje pa asnjë fakt midis shoqatave të ndryshme dhe spoteve të “Zgjohu” dhe për të kompletuar këtë mashtrim sajoi lidhje midis emrit të Altin Goxhaj dhe këtyre shoqatave.
“Në fakt ky nuk është sulm i Taulant Ballës ndaj meje! Ky është një sulm i Erjon Veliajt dhe Endri Fugës që përdorin si vegël të rëndomtë Deputetin Socialist Taulant Balla për të bërë zhurmë ndaj meje pasi po shohin se si po humbasin gjyqet që kanë hapur ndaj meje sidomos tani që Tatimet po bëjnë kontrollin mbi evazioni fiskal mbi miliona euro që kanë gëlltitur me vite nëpërmjet MJAFT-ëve dhe bizneseve të paligjshme. Unë kam paraqitur fakte dhe prova të evazionit fiskal të Veliajt me MJAFT-ët e tij kurse Veliaj dhe Rama shpikin dhe sajojnë histori kundër meje. Por meqë Veliaj po proteston për kontrollet tatimore mbi evazionin miliardash të MJAFT-ëve të tij, a mund të na tregojë Erioni se ku i gjeti Ajola Xoxe 200.000 Euro për të blerë në datën 16 Korrik 2010 në Mullet, Vilën me sipërfaqe 223,2 m2 dhe oborr 155,6 m2? Theksoj se kjo është shtëpia e tretë që vërtetohet që blihet brenda 6 vjetëve! Ku i gjejnë kaq shumë para këta njerëz që shpenzojnë shuma marramendëse për një jetë luksoze ndërkohë që nuk pranojnë të bëjnë transparencë se çfarë kanë bërë me 5.4 milionë Euro të shoqërisë civile dhe biznesve të tyre?”, u shpreh Goxhaj.
Padia Civile e Avokatit Altin Goxhaj ndaj Partisë Socialiste është një risi e re në të drejtën shqiptare pasi është hera e parë që një qytetar hedh në gjyq një parti politike për ti kërkuar dëmshpërblim për cenim të imazhit. Goxhaj ka bërë gati padinë për të kërkuar një shifër prej 99 milionë lekësh të vjetra ndërkohë që për Taulant Ballën do të bëjë një Padi për Kallëzim të rremë penal. Taulant Balla ka imunitet parlamentar, por Goxhaj është i bindur se ky imunitet do t’i hiqet për arsye hetimore pasi qytetarët janë të barabartë para ligjit dhe Taulanti s’mund të abuzojë me imunitetin që i paguhet nga taksat e qytetarëve për të shpifur dhe dëmtuar qytetarët për t’i bërë qejfin forcës së tij politike dhe funksionarëve të saj.
Por, asgjë nuk ndalet me kaq. Altin Goxhaj paraqiti dhe një faksimile të blerjes së Vilës së Ajolës dhe Veliajt në vlerë 200 000 euro, faksimile të cilën gazeta “55” e boton në shkrimin shoqërues. Kësisoj, krahas padive që ngrenë në mënyrë fantazmagorike, hafijet e Edi Ramës harrojnë mëkatet e ryshfetit dhe korrupsionit, ku në këtë rast janë ato të vjedhjes së fondeve të lëvizjes MJAFT, nga ish drejtuesi i saj, Erjon Veliaj.
Vila e Ajolës dhe Erjonit, s’është as e para dhe as e fundit, por janë dhe një serë pasurish të tëra në vëna në mënyrë të dyshimtë, ekstra-ligjore.