E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ajri i Tiranës, 1-2 vite jetë më pak për çdo banor

Nga një studim i Institutit të Shëndetit Publik, që prek disa nga pikat e kryeqytetit, rezulton se ndotja është 2.5 herë më e lartë se standardi dhe në disa vende të tjera, gati 4.5 herë.

Smogu i automjeteve, pluhuri dhe djegia e mbeturinave, janë tre nga faktorët më të rëndësishëm që bëhen shkak për ndotjen mjedisore. Ekspertët që kanë kryer hulumtimin për ndotjen e ajrit në Tiranë paralajmërojnë se nëse nuk merren masa urgjente, humbja e pritshme e jetëgjatësisë në kryeqytet do të jetë 1-2 vjet për banor.

Të dhënat tronditëse mbi pasojat negative që shkakton ndotja e ajrit lidhen direkt edhe me vdekshmërinë e përvitshme. Duke iu referuar statistikave të OBSH-së, rreth 200 vdekje në vit në Shqipëri janë të lidhura vetëm me ndotjen e ajrit, duke u bërë kështu shkak për prishjen e cilësisë së jetës.

Studimi i Institutit të Shëndetit Publik tregon se rreth 1400 raste të reja me kancer që shfaqen çdo vit ndodhin për shkak të faktorëve të ndotjes së ambientit. Kanceret, sipas studimit, janë të llojeve të ndryshme, ku ato të mushkërive dhe lëkurës që vijnë direkt nga mjedisi, janë më kryesorët.

Matja e cilësisë së ajrit është kryer me një aparaturë moderne, e cila është vendosur në disa zona të Tiranës, ku është parashikuar edhe shkalla e ndotjes. Studimi tregon se më problematike është niveli i lartë i lëndës së grimcuar në atmosferë.

Sipas raportit, problem kryesor në kryeqytet është prania e lartë e këtyre grimcave, nga 100 që është norma në 348. Ndërkaq, niveli i lartë i azotit ka tashme vlera të konsiderueshme në shumicën e pikave të Tiranës, ku janë kryer matjen. Studimi i monitorimit të ajrit tregon se zonat më problematike janë "21 Dhjetori" si dhe "Zogu i Zi", ku grimcat e shkarkuara në mjedis dhe çlirimi i gazrave nga makinat kapin shifra disa herë më të larta se standardet e lejuara.

Edhe pse prej kohësh flitet për ndryshime të cilësisë së ajrit, shifrat as që i afrohen standardeve të parashikuara nga Evropa, madje janë të rrezikshme për shëndetin e qytetarëve që thithin çdo ditë smogun e Tiranës.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›